4 Janar, 2021 - 11:32 am
Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Xhemil Tagani duke shënuar një ditë të trishtë për artin shqiptar.
Tagani u lind në Tiranë, më 6 shkurt 1945, ndërsa në karrierën e tij artistike ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare.
Në vitin 1963 mbaron Shkollën e mesme Politeknikumi “7 Nëntori” Tiranë. Studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë i mbaroi në vitin 1967. Ndërsa vetëm një vit më vonë u emërua aktor pranë Teatrit Popullor në Tiranë, derisa doli në pension. Në karrierën e tij artistike 35 vjeçare ka interpretuar mbi 70 rrole te ndryshme në skenën e Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai luajti edhe mjaft role të dyta dhe episodike dhe u shqua për krijimin e karaktereve.
Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave në skenën e Teatrit Popullor. Në kinematografi ka luajtur mbi 13 rrole te ndryshme. Pas një shkëputje 15 vjeçare dhe daljes në pension, në vitin 2012 i rikthehet skenës së teatrit në interpretimin e një roli në Komedinë “Familja në shi” me autor dhe regjisorë Ilir Bezhani, një rol i cili pati sukses.
Disa nga rolet e tij në Teatër:
Agroni – Shokët,
Alqi – Studentja e vitit të fundit,
Tushka – Një nuse për Stasin,
Uçi – I pazvëndësueshmi,
Selimi – Bashkë me Agimin,
Ina – Arturo Ui,
Peç Mbloçi – Lumi i vdekur,
Reizi – Duke u gëdhirë viti 1945,
Samiu – Kështu të dua,
Perikliu – Pallati 176,
Thomai – Nën dritat e skenës,
Kryqi i bardhë, etj.
Disa nga rolet e tij në film:
Përrallë nga e kaluara (1987),
Zëvendësi i grave (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Taulanti kërkon një motër (1984)
Fushë e blertë fushë e kuqe (1984)
Tokë e përgjakur (1976)
Gadhnjim mbi vdekjen (1967)
Kush është vrasësi. / KultPlus.com