Shpallet i pafajshëm burri me ngjyrë që 26 vjet ishte në pritje të dënimit me vdekje

14 Janar, 2021 - 12:36 pm

Një burrë me ngjyrë nga Mississipi i Shteteve të Bashkuara, i cili u mbajt 26 vjet në burg nën akuzën për dhunim seksual dhe vrasje të një gruaje 84-vjeçare, u shpall i pafajshëm pasi dëshmitë e reja treguan se ai nuk ka qenë i përfshirë në krim.

Eddie Lee Howard, 67 vjeç, u dënua gabimisht disa herë për dhunimin seksual dhe vrasjen e Georgia Kemp-it dhe për herë të parë u dënua me vdekje në vitin 1994, shkruan Independent.

Vendimi për dënimin e tij në atë kohë ishte marrë duke i krahasuar shenjat e kafshimit në trupin e viktimës me dhëmbët e të dyshuarit. Një mjek kishte thënë se këto shenja përputheshin.

Megjithatë, dëshmitë e reja të forenzikës, përfshirë testin e ADN-së në skenën e krimit, e përjashtuan Howard-in në këtë rast. Gjykata Supreme e Mississipit vitin e kaluar vendosi që një individ nuk mund të identifikohet si autor i një vepre përmes krahasimit të shenjës së kafshimit dhe dha urdhër për proces të ri gjyqësor.

Ky person u largua nga radha e pritjes për zbatimin e dënimit me vdekje në dhjetor, ndërsa u lirua nga burgu të hënën pasi prokurorët e hodhën poshtë aktakuzën për vrasje.

Një nga avokatet e Howard-it, Vanessa Potkin, tha: “Z.Howard u dënua në bazë të forenzikës së pabazë, pa dëshmi fizike apo dëshmitarë në vendin e ngjarjes.”

I liruari nga burgu tha: “Dua të shpreh shumë falënderime për shumë njerëz që më ndihmuan ta bëj realitet ëndrrën time të lirisë. Dua t’ju falënderoj të gjithëve me tërë zemrën time, sepse pa punën tuaj të madhe në emrin tim, ende do të isha i mbyllur në atë vend të tmerrshëm, të quajtur Departament Korrektues, duke pritur për t’u ekzekutuar.” / express/ KultPlus.com

Të ngjajshme