Salvador Dalí, një gjeni që arriti të na magjepste me ‘çmenduritë’ e tij

23 Janar, 2021 - 10:29 am

Ai ishte një i “çmendur” që arriti të na magjepste me “çmenduritë” e tij, ishte zëri mëë i buçimshëm i penelit. Erdhi për të bërë epokë dhe vetë epoka mori emrin e tij.

Në mëngjesin e 23 janarit 1989, duke dëgjuar muzikën e tij të preferuar, gjëmimim Ëagner-ian, “Tristani dhe Izolda”, zemra e Salvador Dalí ndalon së rrahuri, në moshën 84-vjeçare. Do të shuhej kështu të gjallët e një gjeniu. Thyehet një prej majave që ngërthehej ngulmues përnga lartësitë më të epërme të tablosë. Shuhet për mbetur i vezullimtë në gjithçka që sendërgjoi ai solemnitet krijues. Ngriti dhe shkallmoi për të rindërtuar rishtaz gjithçka nga fillimi, gjithçka nga tharmi i atij shpirti të epur shpengimit e çatrafilisjes.

Ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm, me një jetë larushitëse, dengur gjer në buzë me çmosgjë. Në vërshimin e rrëmetshëm, jeta dhe peneli krijuan më shumë se një vepër të tjetërllojtë, ngjizën dhe na kumtuan një njeri si ai, një prurje galaktike e shkasit për befasi.

Nuk ka një fushë të krijimtarisë artistike ku ai të mos ketë dhënë një kontrobut, të mos ketë lënë gjurmë të plazmuara vezullueshëm. Asnjë oaz i të qenit mishërisht dhe shpirtërisht i lidhur me krijimin, nuk ka mundur të jetë i palakmuar nga Dalí dhe i papërfshirë nga shtjella përpirëse e këtij krijuesi. Por gjithsesi ai ishte dhe mbetet një nga surrealistët më kokëkrisur dhe më përfaqësues. Një pervers dhe model i njeriut të përkushtuar për të bukurën, për mesazhin dhe gjithseçka që përkon me afrinë që arti ngas me artdashësit. Dalí padyshim ishte dhe mbeti një ndër personazhet më të spikatur në memorien e arteve figurative. Ishte kreshta e ngërthyer në eter e surrealizmit. Ai do të mëtonte kësaj rryme një revulucion botkuptimor dhe ideor, artistik dhe estetik, duke bërë që kohë pas kohe admiruesit e surealizmit të kuptonin në të atë qasje figurash të shndritshme të messhekullit XIX, Dalínë si protagonistin. Sepse i tillë ishte ai. Mbeti as më shumë e as më pak, një shpërthim. Si në tablo edhe në jetë ai ishte një individualitet i patëdytë. Ndoshta edhe nga temperamenti, e pse jo edhe nga një mistikë e përbrenshme që e kudodrejtonte atë, ishte dhe mbeti sot dhe do të rrok pa asnjë mëdyshje edhe shijet e brezave që do të vijnë, si një tipar i radhë.

Në galerinë botërore të pikturës, Salvador Dalí është një prej penelave më të jashtëzakonshëm. Nuk kanë nguruar ti bashkëngjiten këtij vlerësimi shumë ekspert dhe kritik arti, shumë njohës të korpusit të tij krijues. Megjithëse kritika e kohës do ta lëndonte tej mase, duke e ngasur mbase të zgjojnë tek ai atë piktor të përmasave të mëdha që njohim. Në këtë prag dallojmë qartazi se si një forcë rrapëllitëse të deng me pamëshirën e saj, me qëllimin e vetëm të të vërë përfundi. Por ai u rrit nga kjo, u formëzua në stuhitë e forta të kohës dhe nga relievi i thukët ku fati e kishte degdisur, veçojmë këtu në pozitat e tij familjare. Këto pikënisin që me vdekjen e vëllait, të nënës, me divorcin e të atit, me përplasjet që kishte me përfaqësuesit të kampit surrealist.

Shumëdimensionalizmi i formës, mendimit, idesë, mesazhit, e pse jo dhe revoltës qasen përnga një kumt që e tipizon këtë personalitet të niveleve eterne të krijimit. Dalí në një masë të kosniderueshme përfshin, gjithrrokë në tansinë e veprimtarisë së tij artistike zhanre që vetë piktura i mbart. Ose më saktë, ajo është ama e tyre, si filmi, fotografia, skulptura, arkitektura, etj. Uni babëzitës tek ai ishte dhe një tipar që rrugëtoi atë drejt shumë theqafjesh, prej të cilave nuk mund të themi se ia doli dhe aq paq. Ai kishte një tërheqje të pazakontë për pjesëmarrje në sjellje dhe i madhërishëm, në mënyrë për të përthithur vëmendjen ndaj vetes. U ndesh me një kritikë që duke e u përpjekur ta anatemonte e bëri më të vëmëndshëm për artdashësit. Kjo në një farë mënyre e himnizoi magjinë e tij të përfaqësimit në art.

Ky ishte Salvador Dalí, një spanjoll që shkrepëtiu në ritmin e kohës dhe vërshon ende në nevojën për të matur caqet e mundshmes dhe talentit, në një botë e cila mund të të mos mirëpresë, por nuk ta privojë sfidën, atë që e shndërroi në triumf të pathyeshëm. /albertvataj/ KultPlus.com

Të ngjajshme