25 Janar, 2021 - 1:47 pm
Nga Elsa Hajradini
E dashtuna jem,
Në fillim të kam shkru letra çdo gjashtë muaj, kësaj radhe kaluan vite. Me fal nuk kam qenë vetja ime ma e mirë edhe kjo më dhemb. Shpesh mendoj nëse prania jote do të ndryshonte shumë gjëra atje në dimensionin e kohës.
E dashtun, kam qenë në vendin ku ti je rritë, kam shkel në vendet që ti ke lozë me shoqe e jam ulë në çdo vend ku mbaja mend që ti je ulë, është i vetmi vend që nuk ka ndryshu përveç se ti nuk je ma aty, muret mi tregojnë të qeshurat e tua, e ninullat që mi ke këndu sahere që m’ke vnu në gjumë. Kisha dashtë me u kthy në kohë veç me të perqafë nji minut ma shumë, e me të thanë të du edhe njihere. Zanin tand ndonjiherë nuk e mbaj mend e mbys vetën tu u mundu me e kujtu, çka është e çuditshme, atëherë kur nuk e pres me vjen nji za, e kujtoj, më duket si i yti, kthehem por ti nuk je askund.
E dashtun, para disa dite ke pas ditëlindjen, nuk të kam thanë urime as lule nuk të kam sjell te varri, fotografin tande në dhomë nuk e shikoj ma. Aty je gjithmonë e re, unë do të plakem e ti do ta kesh shikimin me nji vend, gjithmonë e njëjtë, portret i ngrirë në kohë. Kisha dashtë me të pa teksa plakesh, teksa ballin tand e mbulojnë rrudhat. Tringëlloj çuditshëm por të tjerët nuk e din sa bekim i madhe është kjo.
E dashtun, më fal që nuk të kam shkru, janë ba vite. Ti e din se gjithmonë të kam në mendje. Letrat janë te kutia qe ma ke ba dhuratë, nëse vjen përmes dimensioneve e unë jam në gjumë më zgjo se më ka marr malli. / KultPlus.com