17 Shkurt, 2021 - 10:33 pm
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përvjetorin e 13-të të Pavarësisë së Kosovës e kane përmbyllur duke vizituar Ferdonije Qerkezin, shkruan KultPlus.
17 shkurti krahas shënimit të pavarësisë së Kosovës ka edhe një domethënie tjetër për Ferdonije Qerkezin, pikërisht me këtë datë shënohet edhe ditëlindja e djalit të saj Artanit.
Në një postim në Facebook Osmani ka shkruar se shtëpia ku ruhen gjësendet e djemve të Ferdonijes na përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë.
Tutje ajo ka shtuar se në këtë përvjetor të pavarësisë zotohen se do të jenë zëri i Ferdonijes dhe mijëra nënave të tjera në kërkim të drejtësisë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe. Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artanit.
Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë. Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrenë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë. Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë. Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë./ KultPlus.com
E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë…
Posted by Vjosa R. Osmani on Wednesday, February 17, 2021