25 Shkurt, 2021 - 11:28 pm
Nga Albert Vataj
Prologu
Krejtçka na lidh me Viktor Hygoin, këtë personalitet të njimendtë të letërsisë, është ajo afri delikate e një shpirti rrapëllitës, i një pene tragjike që predikoi humanizmin si fe e gjithëkohësisë. Akti i krijimit, u shugurua prej tij si shërbesa e perëndishme e romantizmit. Ai u lind më 26 shkurt të vitit 1802. Franca e stuhishme priste atë që do të prekte zenitin si poet, dramaturg, novelist, eseist, artist vizual, burrë shteti, Viktor Hygoin, deshtazi, aktivistin e zellshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut. Përpos të gjithash, ligjëruesin buzëhollë, poetin e patëdytë, vazhduesin e spikatun të romantizmit.
Në galerinë e veprës, përcjellim kjartësisht si figurë qendrore njeriun e mitizuar në Sizif. Ngarëndi për të rrëmuar mes rrënojave të kohës, e për të ç’burgosur së andejmi Golgotën e mundimshme të njeriut që gjen tek sekush, për ta vendosur atë gjithnjë mes rrëfimtarëve ngadhnjyes dhe përjetuesve fatkeq. Tipat, karakteret, figurat, episodet, etapat, datimet dhe rëndiet historike, janë jo vetëm lënda e parë e asaj përmendore shtatlartë, por edhe brumi i një doktrine që me romantizmin dhe me emrin e Viktor Hygoit, kërkuan dhe përftuan përjetësinë.
Edhe sot ndërsa matim kohën tone, në këtë turravrap të çmendur përnga zdiseku, përgjojmë pa shumë qëmtesë, praninë mes nesh të personazheve që skaliti mendja, zemra dhe pena e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shkullit XIX, këtij dishepulli të njimendtë të romantizmit. Në këtë 214-vjetor të lindjes së Viktor Hygoit, pakkush ka mbetur jashtë asaj bote ngjethëse që sendërtoi ai me landën e një vullkani. Kurrkush nuk bitisi atë realitet cingëritës, atë univers ku hovte një mllef dhe si një llavë flatëron gjithëkohësinë e gjëmimeve të brenshme të çdo shpirti. E gjithë kjo për t’i dhënë përmasat e qiellit vullnesës për të drejtë dhe liri, dinjitet dhe dashuri. Vepra, personazhet dhe trillet e një ngulmi reagues, u bënë udhërrëfyes të rëndjes së gjatë të një kreature letrare të tjetërqyshtë, që do ta ngjiste shumë shpejt të zotin e saj në fronin e famës.
Gjithëkjo ka në thelb njeriun, atë brenda dhe jashtë nesh, atë më fatkeqin në kohësinë e vet. Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare të deatëhershme. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë.
Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuar i shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhehimnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi. Sipas shkrimtaritnjeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesika qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë sekishte mbërritur tjetërkush më heret.
Lindja dhe rritja e një miti
Viktor Marie Hygo u lind në provincën Besanccon më 26 shkurt 1802 në Francë. Ai ishte i biri i Leopold-Sigisberg, një gjeneral i ushtrisë së Napoleonit dhe u inkurajua nga e ëma, Sofia Trebuchet, në kultivimin e talentit të tij letrar pranë oborrit të Burbonëve në Francë. Në moshën 18-vjeçare u bë i njohur dhe i rëndësishëm falë fitores në një konkurs kombëtar poezie dhe emri i tij tashmë u shënua në qarqet intelektuale franceze të kohës. Kjo famë e menjëhershme i siguroi atij mbështetjen nga familja mbretërore, për shumë vargje të krijuara prej tij në raste zyrtare. Në moshën 23-vjeçare hyn në Legjionin e Nderit. Ndërkohë, në vitin 1926 nxjerr për botim vëllimin poetik “Ode e balada”, në të cilat për herë të parë del në pah përjetimi mbi figurën e Napoleon Bonapartit dhe në mjedisin teatral drama “Kromuell” në 1927-ën, është vepra që e shquan atë drejt romantizmit.
Me parathënien e kësaj drame, Hygo propozon ndarjen nga norma klasiciste e harmonisë Kohë dhe Vend dhe mbështet me forcë dykuptimësinë historike në aksionin skenik. Kjo parathënie kthehet në një lloj manifesti letrar për francezët e kohës dhe deklarata e tij shquhet për ngjyrat dhe bindjet e tij të thella romantike. Në vitin 1823, teksa ishte martuar me Adele Foucher, martesë nga e cila pati katër fëmijë, por që pas njohjes dhe marrëdhënies dashurore me Juliette Drouet, mikesha e tij për 50 vjet me radhë, të cilës i ka kushtuar një epistolar të panumërt ndjenjash, ai ndahet përfundimisht prej gruas së tij. Në vitin 1830 u prezantua për herë të parë vepra teatrale “Hernani”, i cili provokoi një mosmarrëveshje, që solli ndërprerjen e ridhënies së shfaqjes në sallën e Komedisë Franceze. Një vit më vonë u publikua në shtyp vepra “Notre-Dame de Paris” (“Katedralja e Parisit”), e cila bën që nga ky moment shkrimtari i madh t‘i kushtohet teatrit romantik. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi shumë nga dramat e tij historike si “Mbreti dëfrehet” (1832), “Lukrecia Borgia” (1833), “Engjëlli tiran i Padovas” (1835), “Rui Blas” (1838) etj. Vdekja e vajzës së tij, Léopoldine, dhe mossuksesi i dramës “I Burgravi”, i cili e bëri të heqë dorë përfundimisht nga teatri, ndërprenë për një periudhë dhjetëvjeçare aktivitetin e tij letrar.
Pavdeksimi i personazheve
Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të epërme dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshmes. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fondament. Ai shtjellon me një stilistikë aspak të mërzitshme edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajtonme aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit.
Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu qëqesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmëne kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtese kushtruese. Pas personazhevetë skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan spariherë, u bënë yshtje e netëve pagjumë. Në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të përjetime që e bashkëshoqërojnë njeriun atëkohë e sot. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të jetësores, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen. Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore.
Viktor Hygo diti dhe ia doli t’i ikte modeleve të pështira dhe melankolike që mëkoi shpirtin kumtues të asokohjes së tekstshkruesve. Nuk hezitoi të hidhej në rrapëllimën e kohës, të përballet fyta-fytas me peripecitë, me jetësoren gjithnjë në zgrip të personazheve, për ti shndrruar ato hove në shkëndija të qenësishme të ndryshesave epokale historike.
Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika tek tragjedia, nga zakonet tek satira politike, nga romani historik e social tek themelimi i një doktrine, duke ngjallur kësisoj një lloj njëmendësie të patjetërt evropiane.
Në kacarritjet drejt apogjeut të shkrimtarit, nga shumësia e faqeve që mëtojnë atë dhe veprën lexojmë se: Më 1827 do të merrte jetë një prej regëtimeve tekstshkruese të allasojta. Në këtë sprovë Hygoi orvatet të shtjellojë dramën historike për teatrin Kromuell, vepër e cila u konsiderua si manifestimi i teorive të reja romantike. Më 1843 mbytet e bija Leopoldinë dhe bashkëshorti i saj, lajm me të cilin shkrimtari u njoh nëpërmjet gazetës Siecle (Shekulli). Kjo humbje dhe rrëzimi me “I Burgravi”-n 1845, zymëtia që do ta mbanin qiellin e tij letrar për dhjetë vjet në natë ferri. Më 1848 Hygo e sheh veten si deputet në Asamblenë Konstitutive. Grushti i shtetit më1851 do të kurorëzonte në pushtet Napoleonin e III duke e vënë këtë në një pozitë duale. Lekundjet në politikë dhe qëmtesat oponente, nga njëra anë, reagimet që mbartnin zemëratë për regjimin, nga kahu tjetër, e detyruan të arratiset në ishullin Guernsey, ku jetoi me vragën e mërgimtarit 15 vjet. Këto vite i dhanë Hygoit statusin e babait të atdheut në mërgim. Sakaq kyçet një etapë me kontraste të forta për tu hapur një tjetër, e cila merret meformësimin e figurës së tij mitike, si poet dhe në të mëvonshmen, dorzania në traditën historike letrare. Sakaq është në fillesat e saj rëndia drejt famës, e cila ndiqet kronologjikisht me satirën “Napoleoni i vogël”, (1852),”Ndëshkimet” (1853) në vargje, për të vijuar me ndikesat humanitare te “Mendimet” (1856) dhe me ” Legjenda e shekujve”. Në këtë Viktor Hygo përshkoi mespërmes historinë e njerëzimit nga gjeneza deri në shekullin e XIX, trepjesësh që u mundësua për publikun, respektivisht(1859-1877-1883).
Në këtë të gjallë të tij përplot vrull letrar dhe kumte veshpërthyese do të merrni jetë kryeveprat e përbotshme “Të mjerët”(1862), “Punëtorët e detit” (1866), dhe “Njeriu që qesh”(1863). Këto kapërthime në lartësitë e krijimit do të përziheshin me një radhë fatesh të kobta që i krisën zemrën.
Romantizmi, rrymë letrarë që ushqeu me vetveten, Hygoi, ishte një lëvizje komplekse shpirtërore dhe kulturore që prodhoi një rinovim të thellë në letërsi, në art dhe në mendim, në politike dhe në zakone. Ishte në kryeherën e vet, një vullnesë për të ndryshuar, një rrjeshtim i zëshëm për të dëshmuar dhe për të mëtuar vetvetes dhe botës, kjartazi, gjithëkohësisë, të drejtën për të rendur gjithnjë përpara, për njeriun, brenda, thellë brendatijë. Romantizmi u zhvillua nga ai mutacion i shijeve dhe i ndjeshmërisë që u verifikua në Evropë në fund të shekullit të XVII, erdhi si domosdo dhe dishepull.
Mes poeteve të rinj të përfshire në rrymën e romantizmit spikaste Viktor Hygo, që atëherë ishte 25 vjeç. Në publikimet e tija lirike,diçka rreth 50 mije vargje, manifestohet Hygoi i rinisë dhe i theksimit të romantizmit, idhull i gjeneratës së re në vargjet shpreh brendësinë eshpirtit. Kumti i Hygoit shfaqet në mënyrën e trajtimit të materialit historik konkret. Ai bëhet mbrojtës i madh i të drejtave të njerëzve dhe shpreh “revoltëne shpirtit” për shtypjen e padurueshme të popullit të thjeshte. Hygoi kjo ajkë e këtij sistemi vlerash përfaqëson një sinteze fatesh të shekullit XIX. Krejt në mënyrë të beftë do ta shihte veten në shtjellën e “militantëve romantikë”, të cilët grupohen për ti dhënë shpirt drejtësisë, revolucionit.
Epilogu
Ai ishte dhe mbeti përjetuesi dhe kumtuesi më i pashoq i personazheve emblematike, jetëve dhe fateve të përgjithmonshme. Ata ishin në kohën e tij, në të atyren, në tonën, dhe ne do ti lejojmë të jenë të gjithkujt, jo vetëm si portrete, si personazhe, si ai, ata, ato që kemi njohur, nga Guimplen te Gavroshi, nga Kuazimodo te Tribuleti, nga Dea te Ursusi, nga Esmeralta te Xhoziana. Kuazimodot janë dukshëm në tashmën moderne teksa mëtojnë deri në plotësinë e personazhit që Hygoi e vendosi në shumëkohësi. Kjo ndoshta jo dhe aq nga ndonjë yshtje prej orakulli se sa një përkim ojnak që realitetet mveshin në të tashmen e tyne në gjithëkohësi. Përplotëson vetëvetja e epokës hygoiane, me Gavroshin që spërkat dhe njollos shkëlqimin mondan të qendrave urbane dhe ngrihet në kultin e periferisë, nën këmbët e vërshimit të një botë që ka në filozofinë e vet bërjen e maskave dhë çjerrjen e fytyrave, në një farë qasje prej Guimpleni.
Ndryshe nga pararëndës dhe passhkues, ai nuk ishte tragjik, thjeshtë jeta tek-tuk e çukiste me rrufe kreshtën e tij të fatit, përzhitje të cilat ai nuk i fshehu, përkundrazi i bëri limfë përmbajtësore të veprës. Viktor Hygo mbylli sytë më 22 mars 1885 në shtëpinë e tij në Paris. Trupi i tij uv endos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë më shumë se dy milionë persona të ardhur nga çdo cep i Francës. Ishte dhe mbeti për shumë kohë një ceremoni lamtumire madhështore, si e meritonte Viktor Hygoi. Iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i përgjithmonshëm. / KultPlus.com