Shkolla e parë shqipe hap dyert me disa ndryshime pas restaurimit

13 Mars, 2021 - 5:28 pm

Është hapur zyrtarisht muzeu i arsimit në Korçë, dhe në ftesën zyrtare të Ministres së Kulturës nuk mungon as thirrja për ta pasuruar atë me dokumente apo materiale që rrëfejnë historinë e arsimit shqiptar.

Shkolla e parë shqipe, u hap si muze, por ndryshe nga sa e keni parë, qoftë edhe së jashtmi, kjo godinë nuk ka më “abc-në” e saj. Ministrja Margariti tregoi se i ka dëgjuar këto polemika, por ka vlerësuar më shumë rolin e një muzeu si aktor në ngjarjet kulturore.

 “Indinjatën e kam dëgjuar nga pak persona, nuk i është hequr asgjë nga vlera që mbart simboli i një vepre të tillë artistike, ajo është kthyer në një element akoma më të vyer në momentin që është kthyer po aq aktor sa ky amfiteatër, ku çdokush mund të ulët dhe të diskutojë dhe të shprehë më shumë mbi dijen e mësonjëtores. Më lejoni të them, keq kur vë beton, keq kur heq beton”, deklaroi Elva Margariti.

Elva Margariti

Ndonëse ngjarja nuk duket sikur ka të bëjë me zgjedhjet e 25 prillit, Margariti nuk i shpëtoi as pyetjes për mos përfshirjen e emrit të saj në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste.

 “Nuk jam aspak jashtë skuadrës, jam brenda skuadrës sa të gjithë personat në skuadër sepse të jesh pjesë e politikës dhe ti japësh kontributin tënd sidomos në nderin që un kam si Ministre e Kulturës që përcjell në këtë rast të bukurën shqiptare, është detyrë e çdokujt prej nesh si të qenit deputet dhe jo deputet”, deklaroi ministrja.  

Muzeu i arsimit është vendosur në Korçë sepse pikërisht kjo ndërtesë është edhe e para shkollë shqipe, që daton nga 7 marsi i vitit 1887. Para kësaj kohe ajo ishte shtëpia e Diamant Terpos, i cili e dha atë për mësimin e gjuhës shqipe. Nga viti 1967 gëzon statusin Muze Kombëtar i Arsimit ndërsa nga viti 1973 është shpallur edhe monument kulture. /a2/ KultPlus.com

Të ngjajshme