14 Mars, 2021 - 12:55 pm
Gazeta franceze “Le Croix” i ka kushtuar aktores dhe tashmë deputetes kosovare, Adriana Matoshi, një portret interesant që vë në fokus jetën dhe artin e saj.
Kjo aktore, fituese e shumë çmimeve po fillon një jetë të re si deputete në gjirin e partisë reformiste Vetëvendosje. Fituese në zgjedhjet parlamentare të këtij 14 shkurti, Vetëvendosje është thirrur ta udhëheqë Kosovën, pas 20 vjet dorëvënie nga partitë e dala nga lufta.
“Kosova është një vend i vogël me shumë paragjykime”. Patriarkati, Adriana Matoshit, ja ka nxirë jetën ashtu si të gjitha kosovareve. Aktore dhe e shkurorëzuar, ajo shpejt u shënjua si “femër e lehtë”. Një etiketë që në rastin më të mirë, mundëson përqeshje, e në më të keqin, shantazh. Por Adrianën, asgjë nuk e ka larguar nga drejtimi i saj. Dhe, në moshën 41 vjeçare, është pak për të thënë që aktorja e sapo zgjedhur ka përjetuar shumë gjëra.
“Kur kishte ikur nga lufta në fillim të vitit 1999, Adriana gjeti strehim në kampin Stenkovac në Maqedoninë Veriore. Atëherë ishte 19 vjeçe dhe shpejtoi të martohej me të dashurin e saj, me shpresë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. “Lufta përfundoi dhe s’arritëm të shkonim”. Çifti kthehet në Kosovë dhe Adriana lind të parin nga katër fëmijët e saj, të cilët tani janë 20, 16, 11 dhe 9 vjeç. “Doja të kem shumë fëmijë, në mënyrë që ata të mos ndjenin mungesën nga e cila unë kam vuajtur, si fëmijë i vetëm, nga mos pasja vëllezër apo motra”.
Prindërit e saj shitën fabrikën e tyre të vogël të këpucëve në Gjilan, në juglindje të vendit, për t’u kujdesur për pasardhësit në Prishtinë, ndërsa Adriana ndiqte ligjëratat në Fakultetin e artit dramatik. “Kur isha fëmijë në Gjilan, shkoja në bibliotekë, në teatër, në kinema. Isha e magjepsur nga ekrani i madh. Kisha 8 apo 9 vjet kur i premtova vetes se një ditë do të isha në këtë ekran të madh. Kurrë nuk e kam ndryshuar këtë mendim. Gjyshja më thoshte: “Ti je artistja ime”, por ajo vdiq para se ta pyesja – përse ?
Gjatë shtatzënësisë së katërt, Adriana humbi shikimin në njërin sy. Diagnoza: tumor në tru. “Më është dashur të lindja me operacion cezarian dhe pastaj, jam operuar. Ishte situatë shumë e vështirë, të cilën mendoja ta tejkaloja, duke menduar për filmin tim të ardhshëm. Adrianës i rikthehet shikimi. “Një rilindje e vërtetë”. Veçse jeta bashkëshortore po i dëmtohej, për të përfunduar me ndarje. “Në momentin kur karriera ime ngjitet, jeta ime private bie”, thotë ajo.
Një film homazh femrave të përdhunuara gjatë luftës
Këto vitet e fundit, filmat kosovarë po marrin famë. Edhe Adriana Matoshi bashkë me ta! Ajo ndërlidhë xhirimet dhe grumbullon çmimet e aktores më të mirë, në Festivalin e filmit të Evropës Juglindore në Paris, Mostra në Valencia (Spanjë) dhe në Festivalin e filmit të pavarur Sundance, në (SHBA). Sidomos për filmin “Nëntori i Ftohtë” mbi shpërbërjen e Jugosllavisë, ose së fundmi në filmin “Zana”, për gratë e përdhunuara gjatë luftës, në respekt të nënës dhe motrës së regjisores, të vrara gjatë konfliktit në Kosovë. “Ky film më ka shqetësuar shumë dhe e kisha të vështirë të kthehesha në vetvete”, thotë ajo.
Edhe pse ajo është një yll i vërtetë në vendin e saj, në Kosovë nuk jetohet nga arti i shtatë. “Në Kosovë ka mjaft talente, por jo kushte për t’u shprehur, dhe as buxhet”. Ajo u bë menaxhere e “Dar Tea Room”, një kafene e stilit maroken.
Aty Adriana pret shoqërinë e saj. “Në jetën time kam vuajtur prej urisë. Shqetësimi për të qenë në gjendje t’i ushqej të gjithë, më ka ndjekur me vite. Vuajtje kam pasur plot, por asnjëherë s’i kam shprehur përmes pamjes, me fytyrë të trishtuar”. Dhe kurrë ajo nuk ka menduar të heqë dorë nga filmi.
Të dëgjohet zëri i grave në parlament
Pikërisht këtë aktore të fortë, këtë grua të vendosur e të hapur që tani jeton me një futbollist të ri afrikan – mjaftueshëm për t’u ndeshur sërish me paragjykimet – Albin Kurti, lideri i ri kosovar i partisë reformiste Vetëvendosje, e ka kërkuar të bëhet deputete. Ashtu sikurse dhe Vasfije Krasniqi -Goodman, një e zgjedhur tjetër e kësaj partie, e përdhunuar gjatë luftës në moshën 16 vjeçare, e cila u bë zëri i grave që kishin përjetuar të njëjtin fat, dhe ndaj të cilave drejtësia nuk u përmbush kurrë.
Partia, e cila duhet të marrë drejtimin e vendit për herë të parë, pas triumfit të saj në zgjedhjet parlamentare të këtij 14 shkurti, ka premtuar një epokë të re për Kosovën. Një ndjekje të pamëshirshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që kanë lulëzuar mbështetur nga partitë të krijuara nga ish-guerilasit, që kanë kapur vendin qysh nga lufta. Adriana Matoshi dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, mishërojnë fytyrat e reja të vendit të ri i cili dëshiron të marrë një nisje të re.
“Unë kurrë s’ kisha menduar të hy në këtë botë të panjohur të politikës. Më kanë kritikuar shumë në rrjetet sociale. Por pasi ishte menduar mirë, Adriana Matoshi kishte thënë se, duke pasur parasysh rolet që kishte luajtur dhe historinë e saj personale, ajo mund të bënte që zërat e grave të dëgjoheshin në Parlament. “Dua të jem në gjendje t’i mbroj të gjitha gratë që nuk mund të jetojnë ashtu siç ato do të donin”, thotë ajo. Ka shumë për të bërë për gratë që janë viktima të dhunës. Mbi të gjitha, ajo do të besojë se “është koha për t’u dhënë buzëqeshje kosovarëve”.
Frymëzimi i saj, fryma e familjes së saj
Pa familjen e saj, Adriana Matoshi kurrë s’do të kishte mundur t’i kapërcente të gjitha pengesat e jetës për t’u bërë aktore. Prindërit braktisën jetën e tyre në Gjilan, në juglindje të vendit, për të ardhur në Prishtinë, kryeqytet, dhe për ta ndihmuar atë. “Unë dhe fëmijët e mi jemi gjithçka për ta” thotë ajo. Edhe sot, ata kujdesen për katër fëmijët e aktores.
Nga gjyshja e saj e adhuruar, Adriana thotë se mësoi durimin dhe qëndrueshmërinë që i mundësuan, të mos dorëzohej kurrë. Dhe nga nëna e saj, ajo mban këtë forcë të brendshme, që e bëri të patundshme: “Nëna ime kishte gjithnjë besim të plotë tek unë, e bindur që unë, vet, isha aq e fortë sa të ngrija një kamion. Babai im, i shqetësuar për të ardhmen e fabrikës së tij dhe dyqanit të këpucëve, më shihte të bëhesha ekonomiste. Por nëna ime më thoshte: “Vazhdo, ec, jetoje jetën tënde!”. /albinfo/ KultPlus.com