16 Mars, 2021 - 4:25 pm
Çmimi më prestigjioz për arkitekturë – Çmimi “Pritzker” – të martën iu nda dy arkitektëve francezë, Jean-Philippe Vassal dhe Anne Lacaton, për punën e tyre të çmueshme rreth ndërtimit të hapësirave të padëmshme për mjedisin, të cilat e bëjnë prioritet mirëqenien e shumë njerëzve.
Çmimi “Pritzker” për arkitekturë për herë të parë filloi të ndahej në vitin 1979 dhe fituesi merr 100 mijë dollarë. Vassal, 67 vjeç, dhe Lacaton, 65 vjeçe, u shpërblyen për punën e tyre rreth transformimit të banesave urbane në hapësira të qëndrueshme përmes buxhetit modest, shkruan France24, transmeton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.
“Shpresat dhe ëndrrat e modernistëve për ta përmirësuar jetën e shumë njerëzve rigjallërohen përmes punës së tyre që u përgjigjet emergjencave klimatike dhe ekologjike të kohës sonë, si dhe urgjencave sociale, veçanërisht në sferën e banimit urban”, tha juria që e ndau këtë çmim.
“Vassal dhe Lacaton e arrijnë këtë përmes ndjenjës së fuqishme të hapësirës dhe materialeve që krijojnë arkitekturë aq të fuqishme në formën e saj sa në bindjet, aq transparente në estetikë sa edhe në etikë”, thuhet më tej në vendimin e jurisë.
Arkitektët nga Parisi, të cilët e fituan çmimin kombëtar të Francës në arkitekturë në vitin 2008, u bënë të njohur me modelin e shtëpisë “Maison Latapie” në vitin 1993 afër Bordosë. Ky model është bërë emblemë e akomodimit me hapësirë të bollshme dhe me kosto jo të shtrenjtë./express/ KultPlus.com