17 Mars, 2021 - 6:45 pm
Njëherë e një kohë, një vendbanim në një luginë piktoreske në Rumani, fshati Giamana u zhduk nga harta për t’i lënë vendin një liqeni toksik. Sidoqoftë gjurmët e këtij fshati ende mbizotërojnë në këtë zonë dhe padrejtësia që iu bë popullsisë lokale nuk do të harrohet aq lehtë.
Fatkeqësisht, në ato vite fatale, rezerva të pasura bakri u gjetën në një minierë aty pranë, e cila, gjatë nxjerrjes, gjeneroi një sasi të madhe mbeturinash. Banorët u detyruan të evakuoheshin sepse zona do të shërbente si vend për të ruajtur të gjitha mbeturinat toksike. Kështu qindra familje humbën brenda natës atë që kishin krijuar për dekada.
Sapo lugina u zhyt në ujë, ata filluan të lëshojnë materiale toksike në liqen, të cilat, e kthyen ujin në baltë shumëngjyrëshe.
Familjet u zhvendosën 100 kilometra larg dhe në vend të një grumbulli parash që u ishte premtuar, ata morën vetëm një copë tokë të vogël dhe ca para në mënyrë që të arrinin të fillonin sërish jetën nga e para, informon abcnews.al.
Nga mbi 1000 banorë që banonin dikur në këtë vend, sot rreth 20 persona jetojnë pranë liqenit toksik. Shtëpitë e tyre janë të vendosura në një kodër, por jeta në afërsi të liqenit është shumë e vështirë, kryesisht për shkak të gazrave toksikë dhe mungesës së infrastrukturës publike.
Megjithëse kanë kaluar pothuajse katër dekada nga zhdukja e fshatit, vendasit janë ende të zemëruar me autoritetet që i lanë në baltë dhe nuk përmbushën premtimin për të zhvendosur varrezat lokale, të cilat qëndrojnë të zhytura në afërsi të kishës./abcnews/ KultPlus.com