Bideni i habitur nga kundërshtimi për t’u vaksinuar kundër koronavirusit

18 Mars, 2021 - 10:00 am


Presidenti Joe Biden është i habitur nga kundërshtimi i vazhdueshëm i disa amerikanëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, veçanërisht mes republikanëve që kundërshtuan zgjedhjen e tij si president.

“Sinqerisht mendova se, pasi të kishim vaksina të mjaftueshme për të gjithë, gjendja do të fillonte të qetësohej, “tha presidenti Biden për kanalin ABC News të martën. “Dhe në fakt është qetësuar mjaft”.

Presidenti Biden i tha gazetarit të ABCNews George Stephanopulos se nuk po arrin të kuptojë këtë situatë.

“Atëherë përse nuk tregohesh patriot? Të mbrosh njerëzit e tjerë ”, tha presidenti Biden.

Joe Biden, i cili u vaksinua para inaugurimit të tij dy muaj më parë, tha se u tregoi amerikanëve me shembullin e vet se vaksina është e sigurt dhe ishte gjithashtu personalisht lehtësuese “sepse tani mund t’i përqafoj nipërit e mi”, tha presidenti. “Ata vijnë më vizitojnë, mund t’i shoh dhe jam në gjendje të rri me ta”.

Rreth 13% e amerikanëve të rritur, më shumë se 35 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Ish-presidenti Donald Trump dhe gruaja e tij Melania u vaksinuan të dy para se ai të largohej nga detyra.

Të martën, Trump i tha kanalit Fox News, “Unë e rekomandoj vaksinën, dhe do t’ua rekomandoja atë shumë njerëzve që nuk duan ta marrin, dhe shumë prej tyre votuan për mua, sinqerisht”. \ VOA / KultPlus.com

Të ngjajshme