22 Mars, 2021 - 5:01 pm
Më shumë se 200 profesorë të teologjisë nga vendet gjermanisht folëse bënë sot një deklaratë, ku dënojnë refuzimin e Kishës Katolike për të bekuar çiftet homoseksuale.
”Deklarata e javës së kaluar nga Vatikani është formuluar nga një ide paternaliste e epërsisë dhe diskriminon homoseksualët dhe stilet e tyre të jetesës”, sipas deklaratës së profesorëve, transmeton KultPlus.
“Ne jemi duke u distancuar me vendosmëri nga ky pozicion. Ne besojmë se jeta dhe dashuria e çifteve të të njëjtit seks nuk vlen më pak para Zotit sesa jeta dhe dashuria e çdo çifti tjetër”, shton ajo.
Deklarata, e nënshkruar nga 212 profesorë të teologjisë dhe e hartuar nga një grup pune në Universitetin e Muenster, tha se qëndrimit të kishës i mungon thellësia teologjike dhe fuqia argumentuese.
“Nëse zbulimet shkencore injorohen, doktrina minon autoritetin e saj”, thanë akademikët.
Vatikani e bëri të qartë javën e kaluar se kisha nuk ishte e autorizuar për të bekuar çiftet homoseksuale dhe se çdo bekim që njeh një partneritet homoseksual nuk lejohet.
Kjo shkaktoi një stuhi proteste në Kishën Katolike në Gjermani. / KultPlus.com