1 Prill, 2021 - 2:36 pm
Mundësi për kënde të reja të leximit, shfrytëzimit të një hapësire kulturore dhe zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme po i shtohen Prishtinës, më saktësisht lagjes ‘Kodra e Trimave’, përmes një projekti tejet të nevojshëm për këtë pjesë, shkruan KultPlus.
Pikërisht sot, pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe prokurimit, e po ashtu edhe nënshkrimit të kontratës, filluan punimet për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale Kulturore me fokus Bibliotekën në lagjen ‘Kodra e Trimave’, ku për të përcjellë nga afër dhe për të hedhur gurë-themelin e parë, të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.
Duke pasur parasysh të gjitha investimet në infrastrukturë dhe aktiviteteve të ndryshme, Shpend Ahmeti potencoi se rëndësia e këtij objekti është në shërbim të leximit dhe funksioneve të tjera kulturore të cilat do të duhej të ishin pjesë e përditshme e çdo njeriu.
“Përkundër disa investimeve që janë zhvilluar në këtë lagje në vitet e fundit, duke përfshirë çerdhen më të madhe në Prishtinë dhe plotë rrugë tjera, megjithatë kjo lagje ka mbetur një prej lagjeve më të pabarabarta me lagjet e tjera”, tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit, edhe nëse ata do të kishin shpenzuar të gjithë buxhetin e Prishtinës në lagjen ‘Kodra e Trimave’, përsëri do të nevojiteshin edhe 10 vite për tu barazuar me lagjet e tjera për shkak të mungesës së investimeve në këtë pjesë.
Tutje ai pohoi se kjo lagje tanimë është e favorizuar, “Por ende nuk kemi dalur në plus, prandaj edhe po mendojmë të sjellim sa më shumë projekte në këtë lagje”, potencon Ahmeti.
Projekti përfshin gjithsej 150 ditë punë duke filluar nga sot dhe ka një buxhet afro 141 mijë euro, dhe për rëndësinë e saj dhe vlerat kulturore foli edhe drejtori Adrian Berisha duke e konsideruar këtë projekt si të jashtëzakonshëm.
“Projekti është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht për lagjen ‘Kodra e Trimave’, duke pasur parasysh se në tërë këtë lagje nuk ka as edhe një qendër të vetme kulturore të tillë, prandaj është edhe e jashtëzakonshme që ky projekt do të ndërtohet”, tha Berisha.
Shoqëria e cila është në mungesë të mundësive të shfrytëzimit të një biblioteke, ka pabarazuar qytetarët me komunitetet e tjera të cilat tashmë kanë një bibliotekë. Por edhe pse në mungesë të saj, disa qytetarë hasën në një problem të vogël ku nxënësit që kanë përdorur një rrugë për të hyrë në shkollën ‘Hilmi Rakovica’, tanimë është mbyllur për shkak të rreziqeve përgjatë punimeve.
Për këtë shqetësim të qytetarëve u kujdes edhe vetë drejtori i Drejtorisë për Kulturë, i cili tha se çdo kërkesë dhe sugjerim i banorëve do të trajtohet me shumë seriozitet.
“Qëllimi i Komunës së Prishtinës është një qëllim i mirë, për të rinjtë të cilët mund të kalojnë kohë duke u fokusuar në edukim dhe kulturë, prandaj edhe pas vendosjes së gurë themelit do të diskutohet për një gjuhë të përbashkët në mënyrë që nxënësit të kalojnë në një rrugë të përshtatshme, gjithmonë duke pasur parasysh që të mos rrezikohet jeta e askujt”, përfundon Berisha
Ky projekt u mundësua nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin UBT dhe Studio G+A Architects për donacionin e projektit kryesor, udhëhequr nga Arbër Sadiki dhe ideuar nga Rilind Sadiku. / KultPlus.com