6 Prill, 2021 - 2:45 pm
Pas marrjes se detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kabinetin e saj, ka pritur në takim ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës, ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia, shkruan KultPlus.
Sipas Osmanit, xhudistët janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë.
Duke i cilësuar si krenaria e kombit tonë, Osmani krejt në fund ka potencuar se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet.
Ky është postimi i plotë i presidentes Osmani:
Të ftuarit e mi të parë në Presidencë ishin ato e ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia. Ka disa vjet që xhudistet e xhudistët e Kosovës janë bërë ambasadorët tanë më të mirë.
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe shumë të tjerë jo vetëm që kanë korrur suksese historike në këtë disiplinë sportive, por kanë ngritur flamurin dhe nderuar himnin e Kosovës edhe në vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovë.
Këta janë pjesa më pozitive e rrëfimit për Kosovën kudo në botë.
Këta janë krenaria e kombit tonë. Me rezultatet e tyre e kanë vendosur Kosovën në hartën e botës ndaj u jemi mirënjohës secilit nga ta!
Shpirti garues i xhudisteve e xhudistëve tanë mban mbi supe shpresën e rinisë sonë se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet. / KultPlus.com