11 Prill, 2021 - 4:24 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vdekjes së instrumentistit të njohur kosovar Shaqir Hoti duke thënë se kavalli i tij pushoi por tingujt e tij do të jehojnë ndër breza.
Osmani, përmes një statusi në Facebook ka thënë se Hoti do të kujtohet përherë si njeriu që deshti, ruajit dhe kultivoi traditën shqiptare.
“Instrumentet e muzikës sonë burimore: okarina, fyelli e kavalli, mbetën pa mjeshtrin e madh Shaqir Hotin. Baca Shaqë iku në përjetësi duke lënë pas një trashëgimi të begatshme të punës së tij mjeshtërore në ruajtjen e traditës së punimit të instrumenteve frymore, por edhe kultivimin e muzikës sonë burimore. Kavalli i Bacës Shaqë pushoi, por tingujt e tij do të jehojnë ndër breza. Ai do të kujtohet përherë si njeriu që e deshi, ruajti dhe e kultivoi traditën tonë me devotshmëri deri në frymën e fundit! Qoftë i përhershëm kujtimi për mjeshtrin e instrumenteve – Bacën Shaqë!”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com