Gastronomët: Masat e reja krijuan një eksport të parasë dhe import të virusit

13 Prill, 2021 - 11:24 am

Ka kaluar një javë që sektori i gastronomisë po qëndron i mbyllur për shkak të masave të reja Anti-COVID të ndërmarra nga Qeveria e vendit, por nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thonë se këto masa vetëm sa po e thellojnë edhe më shumë gjendjen e rëndë të këtij sektori.

Me qëllim të uljes së rasteve pozitive me COVID-19, javën e kaluar Qeveria ka ndërmarrë masa të reja kufizuese duke ndaluar punën e gastronomisë dhe të qendrave tregtare deri më 18 mars, por se kjo mbyllje ka ndikuar që mbi 29 mijë qytetarë të Kosovës vikendin ta kalojnë në Shqipëri.

Kjo për Arian Vranicën nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, është dëshmi se masat e fundit kanë ndikuar që të ketë eksport të parasë dhe import të virusit.

Vranica thotë se vendimi i Qeverisë për të mbyllur gastronominë në Kosovë duke lënë të hapur kufijtë, është një vendim që i dëmton më së shumti gastronomet.

“Duke e ditur që nuk ka pasur asnjë lloj dokumenti që është kërkuar apo një lloj (testi) PCR apo një lloj vetizolimi dhe një lloj kontrolle sa i përket luftimit të pandemisë, natyrisht që për neve ka qenë shqetësuese, sepse një sektor i cili po mbyllet tek ne po lejohet në vendin tjetër, andaj kjo po stimulon qytetarët e vendit të Republikës së Kosovës që më shumë të frekuentojnë vendet tjera sesa vendin tonë. Për neve ka qenë shqetësuese sepse duke i ditur edhe kapacitetet buxhetore të Republikës së Kosovës nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur bizneset në raport me humbjet të cilat i kanë shkaktuar. Natyrisht ne duhet t’i evitojmë sa më shumë këto humbje, mirëpo me këtë vendim ne e kemi krijuar një eksport të parasë dhe një import të virusit”, tha ai.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë që gastronomia të punojë vetëm me shërbim “merr me vete” dhe “dërgesë me porosi”, vetëm sa e thellon edhe më tepër gjendjen e rëndë të këtij sektori.

Ai thotë se shumica e lokaleve të gastronomisë nuk i ofrojnë këto shërbime, e që thotë se humbja për to është edhe më e madhe.

“Këto masa e thelojnë edhe më tepër gjendjen e rëndë të sektorit të gastronomisë, sepse gastronomia ne e dimë që nga mbyllja totale që ka ndodhur përkatësisht në tre mujorin e dytë të vitit të dytë të vitit të kaluar ka pasur një përshkallëzim të jashtëzakonshëm sa i përket dëmeve të shkaktuara nga pandemia dhe masat shtrënguese të qeverisë. Kemi pasur 64 përqind rënie të qarkullimit dhe e cila ka treguar që ka pri në raport me çdo industri tjetër sa i përket dëmeve”, thotë ai.

Një vit më parë për shkak të mbylljes në sektorin e gastronomisë, Vranica thotë se mbi 11 mijë punëtorë kanë humbur punën, e që një gjë e tillë shton se do të ndodh edhe për shkak të masave të fundit.

“Natyrisht që po, siç e ceka edhe më herët barra për të gjitha këto shpenzime të likuiditetit i ka rënë gjithmonë pronarëve dhe nuk kanë mundur të njëjtit të subvencionohen mjaftueshëm me para të buxhetit tonë edhe është dashur të largohen nga puna edhe për shkak të mos lejueshmërisë së funksionimit të rregullt të biznesit…Kështu që, veçse ka një largim të punëtorëve edhe me masat paraprake e tani natyrisht që do të ketë një thëllim edhe më të madh, ku siç e ceka edhe më herët numrat janë mjaftë shqetësues sa i përket punëtorëve të larguar. Arritja në normalitet vetëm po tejzgjatet dhe po bëhet edhe më e vështirë duke marrë parasysh edhe tkurrjen e rezervave dhe humbjet e mëdha të cilat po shkaktohen”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, thotë se sektori i gastronomisë duhet të mbështetet sa më shpejt nga Qeveria e vendit.

Ai bëri të ditur se javën e kaluar kanë pasur takim me përfaqësues të Qeverisë, e me të cilët thotë se kanë diskutuar se gastronomët duhet të mbështeten.

Ndërsa, kujtojmë se nga Qeveria e Kosovës është bërë e ditur se sektori i gastronomisë do të mbështetet me pagesë të pagave të punëtorëve dhe të qirave.

“Kemi diskutuar që duhet të ketë një mbështetje sa më të shpejtë financiare edhe pse është e vonshme, sepse paraprakisht do të duhej të ishte një takim me Ministrinë e Financave duke vlerësuar gjendjen e bizneseve dhe duke evidentuar ato biznese që do të duhej të përfitonin në rast të një mbyllje konkrete siç është duke ndodhur tani, e më pastaj të ndodhin paralelisht të dyja vendimet pas një aplikimi të bizneseve për subvencionim të qirave dhe të pagave. Kjo pritet të ndodh në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm, natyrisht që pritet të bëhet një vlerësim më i saktë sa i përket numrit të punëtorëve dhe të bizneseve”, tha ai.

Masat kufizuese do të vlejnë deri më 18 mars, e që Vranica deklaron se nëse do të ketë tentim që mbyllja të zgjatet ata do të protestojnë.

“I kemi analizuar këto vendime për mbyllje dhe vendimi i Këshillit drejtues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës ka qenë që në rast se nuk do të ketë hapje, natyrisht se ne do të protestojmë. Do të protestojmë me padëgjueshmëri dhe me organizim të protestave në rrugë, ku nuk jemi të vetëm, do të thotë ka edhe Oda dhe shoqata të tjera përkrahëse në këtë aktivitet”, thotë ai.

Më 7 prill kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese, ku gastronomisë dhe qendrave tregtare i është ndaluar puna deri më 18 prill. / Gazeta Express / KultPlus.com

Të ngjajshme