Donika Gërvalla e përfaqëson Kosovën në seancën e sotme të KS të OBK-së

13 Prill, 2021 - 2:04 pm

Një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku temë do të jetë Kosova, do të mbahet sot pasdite në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gazeta Express mëson se Kosova në këtë seancë do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Në seancën e cila do të kryesohet nga Vietnami dhe do të zhvillohet në mënyrë elektronike, do të diskutohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK për periudhën nga shtatori 2020 deri në mars 2021.

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi punën e UNMIK-ut përfshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 14 shkurt dhe aktakuzës e Prokurorisë Speciale në Hagë kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në nëntor të vitit të kaluar si ngjarjet kryesore politike.

Raporti thekson se këto ngjarje e kanë ngadalësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe se paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe zhvillimi socio-ekonomik në Kosovë dhe rajon varen nga progresi i qëndrueshëm i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Së fundmi, Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përfaqësoi ish-kryediplomati, tani kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca. / KultPlus.com

Të ngjajshme