14 Prill, 2021 - 2:09 pm
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit të Deçanit, me parulla që dënojnë patriarkatin dhe shtypjen e grave, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kolektivi për Mendim Veprim Feminist ka shkruar se përmes shkrimeve në mure janë vënë në pah të vërtetat e grave të cilat përjetohen e riprodhohen në heshtje.
“Dhuna ndaj grave, ndalimi i shkollës nga baballarë, vëllezër e axhallarë, mbyllja e grave brenda mureve të shtëpisë u shkruan me ngjyrë të kuqe, si alarm për shoqërinë e institucionet dhe shenjë që revolta dhe rezistenca e grave po zihet shtëpive e rrugëve të qytetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.
Këtë postim të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist e ka shpërndarë në rrjetin e saj social Facebook edhe gazetarja e KultPlus, Suada Qorraj duke dashur të përkrahë nismën.
Por, ky postim u bë shkak që Policia e Kosovës të kërkojë Suadën për deklaratë me idenë që ajo ishte ideatorja e kësaj nisme.
Në shtëpinë e saj në Deçan, familja e Suadës u vizitua nga Policia e Kosovës duke e shqetësuar pa të drejtë dhe fakte.
Kjo vizitë është bërë vetëm mbi bazën e shpërndarjes së postimit aga ana e Suadës.
Për këtë shqetësim familjar ka reaguar Qorraj duke e konsideruar shqetësuese dhe sulm direkt ndaj fjalës së lirë.
Ky është postimi i plotë i saj:
REAGIM NDAJ POLICISE SE KOSOVES
Mbreme bera share nje aktivitet te nje organizates Kolektivi per Mendim dhe Veprim Feminist ne te cilin tregohej se jane bere grafite ne Komunen e Deçanit
Sot perpos qe u sulmova pa baze nga individ qe fshihen pas portaleve, ne shtepine time ne Deçan familja u vizitua nga Policia e Kosoves.
Vizita e Policise se Kosoves ishte bere vetem mbi bazen e shperndarjes se postimit nga ana ime duke aluduar qe aktiviteti ishte realizuar nga une, gje qe nuk eshte e vertete kjo sepse deri ne momentin e publikimit te fotove une nuk isha ne dijeni per nje aktivitet te tille.
Policia e Kosoves ka marre mundimin qe te shqetesoj familjaret e mij, po te njejtin nuk kane marre mundimin qe te verifikojne faktet.
Kjo eshte shqetesuese sepse eshte sulm direkt mbi fjalen e lire. / KultPlus.com