19 Prill, 2021 - 2:06 pm
“GLASUL ALBANIEI” (Zëri i Shqipërisë) ishte një revistë politike, letrare dhe shkencore në gjuhën rumune, drejtuar nga C. Podrescu, profesor rumun.
Kjo revistë botohej në Bukuresht dhe numri i parë doli në tetor 1910.
Faqja e parë hapet me foton e Heroit Kombëtarë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe një shkrim historik për kontributin e Shqipërisë në luftën kundër perandorisë osmane.
Gjithashtu më tej shkruhet një profil i detajuar për figurën e Skënderbeut. Gjithashtu në revistë është përmendur edhe kontributi i Diasporës shqiptare në luftën kundër perandorisë Osmane.
“Rumunët dhe shqiptarët janë vëllezër gjaku” theksonte C. Predescu, profesor universitar dhe drejtor i revistës Glasul Albaniei (Zëri i Shqipërisë), që delte në Bukuresht më 1910. C. Predescu theksonte asokohe se fjala është për lidhje farefisnore, për “degë të të njëjtit trung”, për “një simpati permanente dhe kontinuitive”, si dhe për “afrimin e tyre në gjuhë dhe zakone, siç ka deklaruar shpeshherë filologu erudit Bogdan Petriceicu Hasdeu, se Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve (Albanezii suntPărinţii Românilor).
Rumania ka qenë gjithmonë (sidomos para blasfemisë komuniste), një vend tejet i lirë dhe tejet mikpritës, madje tejet tolerant ndaj komuniteteve tjera, duke i admiruar dhe konsideruar shqiptarët si bij shqipesh që e mbajnë fjalën e dhënë dhe besën e Zotit. Shqiptarët, shkruan C. Predescu, kanë të drejtën legjitime të gëzojnë këto liri nga ana e rumunëve, si pasojë e disa arsyeve të fuqishme, të njohura dhe të stabilizuara. / Gazeta Diaspora / KultPlus.com