25 Prill, 2021 - 10:36 am
Libri me tregime “Rr’nimi i Arbërit” i autorit Enver S. Morina ka ardhur për lexuesit nga Shtëpia Botuese “Buzuku” në fund të marsit të këtij viti. Libri është i përbërë nga dhjetë tregime dhe gjashtë skica, poezi, dialogë e rrëfime që autori i quan biseda në titullin “6 “biseda” të përgjuara me 17 janar”.
Tregimet: “Mos i humbisni sytë”, “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”, “Dosja e Arbër Varrit”, “Polemikë me ujq”, “Triptiku vendor i ecejakeve nëpër At(ë)dhe”, “Koloneli dhe i çmenduri”, “I vdekur në një aksident”, “Njollat e hirit pas shiut të akullt”, “Dialog i përfunduar” dhe “E moshuara dhe vasha”.
“Bisedat”: “Populli nuk është 007”, “Frika dhe letra”, “Ditari”, “Kthina”, “Loja” dhe “E nesërmja, kënga dhe liria”.
“Një stil rrëfimi krejt ndryshe. Miksturë rrymash e drejtimesh kulmuar me postmodernen. Historia është një lajtmotiv por aktualiteti imperativ.”, shkruan në ballinë.
Janë tregime të shkruara përgjatë kapërcimit të mileniumeve në harkun kohor prej 15 vite (1994) nga rrëfimi “Mos i humbisni sytë” e deri të tregimi i gjatë “E Moshuara dhe Vasha” (2009). Pjesë e kësaj përmbledhje është edhe skelet-skenari “Mërgimi i përjetshëm i KëDe-së” i cili shoqërohet me një letër në gjuhën angleze për aktorët Kevin Costner-it e Harrison Ford-it (1998). Tregimi “Njollat e hirit pas shiut të akullt” zuri vendin e tretë në konkursin “Flaka e Janarit 2000”.
… Arbër V. ishte bërë varrmihës i vetvetes. Vetëm tash e kuptoj pse me shekuj familja e tij mbante këtë mbiemër! Mbeti edhe kësaj here e parealizuar porosia e paraardhësve: të varroset në fshatin e etnisë stërgjyshore, në Kushevicë, të Toplicës! … (Fragment nga tregimi “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”)
Autori i librit me tregime “Rr’nimi i Arbërit” Enver S. Morina (1965, Gllarevë e Klinës) ka kryer Fakultetin e Filologjisë, drejtimi Letërsi dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare (1998-2000). Ka punuar profesor në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Disa vite edhe gazetar. Shkruan ese e kritikë letrare e kinematografike, opinione, analiza e të tjera botuar në periodikun apo gazetat e kohës, si “Koha-javore”, “Sheshi”, “Zëri-javor”, “Flaka”, “Fjala”, “Jeta e Re”, “Bota Shqiptare”, “Verbi”, “Albanica”, “Shqip” si dhe në “Nacional”, “ResPublica”, “ExLibris”, “MAPO Letrare”, etj. Është autor i monografisë “Shndrit ndër breza, Hamit Krasniqi” (2010).
“Rr’nimi i Arbërit” është vepra e parë e tij në prozë. / KultPlus.com