27 Prill, 2021 - 3:21 pm
Në javën e imunizimit në botë, UNICEF ka organizuar një bashkëbisedim më epidemiologun Lul Raka, me të cilin u diskutua imunizimi me vaksinim të rregullt, dhe imunizimi nga COVID-19.
Vaksinat AstraZeneca të cilat u dhanë qytetarëve të Kosovës, sipas Lul Rakës pas 21 ditëve nga doza e parë të mbron 100% nga vdekja, ku edhe përmendi se qëllimi i vaksinimit është parandalimi i vdekjes, rihapja e shoqërisë dhe eliminimi i sëmundjes.
Ne këtë bashkëbisedim epidemiologu Lul Raka foli për rëndësinë e vaksinimit të rregullt tek fëmijët, vaksinim i cili për shkak të pandemisë është lënë anash duke e shtuar kështu rrezikun e shpërthimit të fruthit, paralizës së fëmijëve dhe lijës.
“Qëllimi i imunizimi me Covid-19 prej fillimit lajm i jashtëzakonshëm ka qenë sigurimi i vaksinës. Qëllimi kryesor ka qenë me ndal vdekjet. Unë thash që kategoria më e rrezikuar ka qenë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duke e ndalur vdekshmërinë, duke imunizu edhe për këtë arsyeje jo vetëm në Kosovë por edhe bota fokusin e ka pas tek imunizimi i të moshuarve mbi 65 vjeç[…]Vaksinat të cilat janë në përdorim në Kosovë është AstraZeneca për momentin, vetëm një dozë e AstraZeneca e cila merret pas 21 ditëve të mbron 100% nga vdekja[…]Qëllimi tjetër për vaksinim është edhe hapja e shoqërisë edhe e fundit është eliminimi i sëmundjes”, tha ai
Raka tha edhe se COVID-19 përpos vështirësive që ka shkaktuar në sistemin e shëndetësisë, problem ka shkaktuar edhe në vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke e shtuar kështu rrezikun për afër 20 sëmundje që mund të u ngjiten fëmijëve të pa imunizuar.
“Problemet që i ka shkaktuar në fillim COVID-19, sidomos në fillim kur ka qenë frika dhe paniku në maksimum edhe në atë fazë por edhe më vonë edhe tash kanë pësu një gamë të gjerë të pacientëve të tjerë që vuajnë prej sëmundjeve të tjera. Nuk e kemi veç COVID-in, kur jemi tek sëmundjet vaksinë parandaluese, sëmundje që mund të ndalen me vaksinë këtu janë afër 20 sëmundje tilla të cilët shkaktohen jo vetëm prej viruseve por edhe prej baktereve shkaktohen për të cilat ka shërim dhe kjo bëhet përmes vaksinave, gjatë kësaj pandemie imunizimi i rregullt është godit shumë”, tha ai
Raka tha se fruthi është një prej sëmundjeve më ngjitëse, ku një person i infektuar mund t’i infektojë 16 deri 18 persona të pa imuniziuar. Andaj prindërit që nuk kanë arritur të kryejnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre mund të vazhdojnë vaksinimin duke u lajmëruar në QKMF-të më të afërt
“Edhe nëse ka vonesa (për vaksinim të rregullt) munden me mbërri prapë se prapë kalendarin duke u lajmërua në QKMF-të më të afërta[…]5-6 vitet e kaluara kemi pas shpërthime të fruthit jo vetëm në Kosovë po në krejt rajonin edhe ka ndodh pikërisht sepse nuk janë imunizu një pjesë e konsiderueshme e popullatës. Fruthi është një prej sëmundjeve ma ngjitëse nga të gjitha viruset. Mesatarisht një i sëmurë me COVID i infekton 2 deri në 3 persona të tjerë, te fruthi, një person i infektuar me fruth i infekton 16 deri 18 të tjerë të cilët nuk janë të imunizuar”, tha ai.
Për të u kthyer në normalitet, Raka tha se për shpëtimi i jetës së njerëzve, shmangia e shtretërve spitalorë, hapja e teatrove, stadiumeve dhe dasmave zgjidhja e vetme është vaksinimi
“Faktori më i rëndësishëm është imunizimi dhe mbrojtja e fëmijëve tanë. Vaksina është rruga e vetme e kthimit në normalitet e shpëtimit të jetës së njerëzve e shmangies së shtretërve spitalorë e kthimit në punë, në teatër, stadium, dasma po e përsëriti prapë andaj vaksinohuni”, ka theksuar Raka në bashkëbisedimin e organizuar nga UNICEF në javën e imunizimit në botë. / KultPlus.com