28 Prill, 2021 - 10:24 pm
Lokaliteti arkeologjik Assos në provincën veriperëndimore Çanakkala të Turqisë do të jetë i mbyllur për 500 ditë derisa zhvillohen punimet e rehabilitimit në një shpat të afërt pasi në rrugën që të çon në portin antik të Assos filluan të bien shkëmbinj dhe fragmente guri.
Po ashtu janë ndaluar dhe aktivitetet e operatorëve turistikë dhe tregtarëve në portin antik në kuadër të projektit të tenderuar muajin e kaluar nga guvernatori i qarkut Ayvacik në Çanakkala, shkruan Anadolu Agency (AA).
Të martën, rruga që të çonte në portin antik u mbyll nga ekipet e xhandarmërisë, e cila ndryshoi planet e vizitorëve.
Në kuadër të projektit, i cili është planifikuar të përfundojë për rreth 500 ditë, shpati pranë portit do të rehabilitohet për të parandaluar që gurët dhe fragmentet e gurëve të paraqesin rrezik mbi portin. Ata kishin filluar të binin për shkak të tërmeteve dhe kushteve natyrore.
Autoritetet thanë se bizneset në rajon do të vazhdojnë aktivitetet e tyre pas përfundimit të punimeve rehabilituese.
Assos, i njohur gjithashtu si Behramkale, ishte një nga qytetet më të rëndësishme portuale të epokës antike dhe posedon trashëgimi kulturore thelbësore nga periudha romake e rajonit, përfshirë teatrin antik, agora, nekropol dhe mure.
Lokaliteti antik, i cili ndodhet 17 kilometra në jug të qarkut Ayvacik, u pranua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 15 prill 2017.
Sipas faqes së internetit të UNESCO-s, Assos, si një qytet-shtet i rëndësishëm në periudhën Arkaike, kishte rolin e tij të rëndësishëm në rajon deri në kohën bizantine.
Arkeologët turq filluan gërmimet në Assos në vitin 1981.
Mbrojtja, promovimi dhe restaurimi i qytetit antik po ndërmerren nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, guvernatori i Çanakkalasë dhe administrata lokale e fshatit Behramkale./ KultPlus.com