Vera e ruajtur në hapësirë mund të shitet për 1 milion dollarë

5 Maj, 2021 - 8:24 pm

Një shishe vere “Bordeaux” që ka qëndruar për 14 muaj në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar është nxjerrë në shitje, për një shumë që mund të arrijë deri në 1 milion dollarë.

Vera “Château Pétrus 2000” ishte pjesë e një eksperimenti për të parë sesi ndikojnë kushtet në hapësirë te vera.

Kompania e ankandeve “Christie” tha në deklaratë se me paratë e siguruara nga shitja do të financojë misione të tjera hapësinore. Tim Triptree, drejtori ndërkombëtar për pijet alkoolike i “Christie”, tha për CNN se shuma që firma pret të arkëtojë shkon te rreth 1 milion dollarë.

Kutia e shishes është realizuar me dru nga firma “Les Ateliers Victor” dhe brenda saj ka gota dhe një hapëse vere të bërë nga një copë meteoriti. Gjithashtu në kuti gjendet edhe një shishe identike, por që ka qëndruar në Tokë, në mënyrë që blerësi të bëjë dallimin.

Në total, në hapësirë janë dërguar 12 shishe, por Triptree tha se vetëm njëra do të shitet. Tetë të tjera do të mbahen për kërkime të mëtejshme, ndërsa 3 janë hapur tashmë dhe janë pirë./a2/KultPlus.com

Të ngjajshme