8 Maj, 2021 - 8:07 pm
Në Gjirokastër ka përfunduar puna për restaurimin e çatisë dhe murit të portës “Çene”, monument kulture kategoria I, në lagjen “Varosh”.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur se “është një nga portat e jashtme karakteristike e shtëpive Gjirokastrite me një ekzistencë mbi 100-vjeçare dhe me elemente të cilat faktohen ne konstruksionin e saj”.Sipas DRTK-së, pas shembjes që pati muri rrethues dhe nga dëmtimet në vite çatia dhe muri mbajtës ishin drejt rrënimit.Specialistët e DRTK-së Gjirokastër duke ruajtur elementet arkitekturore realizuan restaurimin e plotë të tyre.
Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.
Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm./atsh/ KultPlus.com