14 Maj, 2021 - 9:47 pm
Bizhuteritë e vajzës së adoptuar të Napoleon Bonapart-it janë shitur në ankand në vlerën 1.4 milion Euro.
Bizhuteritë që u ofruan të ndara, i përkisnin Stephanie de Beauharnais, siç bëri të ditur shtëpia e ankandeve Christie’s të mërkurën.
Fillimisht ishte përllogaritur, që çmimi i shitjes të arrinte deri në rreth 390.000 euro, por i kaloi pritshmëritë.
Nëntë bizhuteritë prej safirësh dhe diamantesh u nxorën në ankand me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së perandorit francez.
Beauharnais e kishte marrë setin e bizhuterive, që përbëhet nga një kurorë, varëse dhe vëthë, si dhuratë me rastin e dasmës së saj me princin Karl von Baden.
“Kishte një kërkesë të lartë nga e gjithë bota”- tha organizuesi i ankandit Max Fawcett.
Përveç rëndësisë historike, bizhuteritë kanë shumë vlerë për shkak të ngjyrës blu natyrale./ KultPlus.com