17 Maj, 2021 - 11:38 am
Janë bërë një vit që nga koha e shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në orët e para të mëngjesit, si sot para një viti, nisi shembjen e Teatrit Kombëtar, i konsideruar si pjesë e trashëgimisë kulturore europiane nga Forumi “Europa Nostra” dhe një nga 7 objektet e rrezikuara të marra në mbrojtje prej tij.
Qytetarë të Tiranës dhe artistë të shumtë protestuan ashpër kundër shembjes dhe u përplasen me forcat policore por gjithçka rezultoi pa efekt. Teatri u shemb e me shembjen e tij u thyen edhe shumë kujtime.
Sot, në një vjetorin e shembjes së Teatrit, një nga protestuesit ka vendosur të bëj tatuazh objektin e teatrit në dorën e tij.
Këtë fotografi e ka shpërndarë shkrimtarja Flutura Açka e cila tutje ka shkruar për dhimbjen që i ka shkaktuar ky rast.
Sipas Akçes për këtë rast duhet të japin llogari ata që urdhëruan shembjen sepse janë tallur me kodin më elementar të Europës, kujtesën.
Ky është statusi i plotë i Akçes:
Kisha besuar se pas majit të vitit 2018, në jetën time nuk do të gjendej më kurrë ndonjë arsye për lot. Por të gdhirët e 17 majit 2020, ishte tronditëse; të vetmit që nuk përloti ishin bishat me pushtet dhe puthadorët e tyre. Me Teatrin u shemb edhe një pjesë e rinisë së brezit tim, një pjesë plot shkëlqim e historisë së kulturës shqiptare, një pjesë e historisë së Tiranës.
Tiranët e asaj nate kanë emër të përveçëm:
Edi Rama, artisti që asfiksoi artin shqiptar për të qenë vetëm ai në qendër të tij.
Erjon Veliaj, politikani diabolik që shkatërroi kujtesën e Tiranës.
Sandër LLeshi, i cili e militarizoi aksionin për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Kjo treshe një ditë duhet të japë llogari, pasi u soll me arrogancë me shqiptarët, u tall me kodin më elementar të Europës, kujtesën. Dhe kujtesa e njerëzimit fillon nga Teatri.
Ne, njerëzit që e dashurojmë Teatrin dhe duam që të ruhet kultura e këtij kombi, ia kemi kujtuar publikisht me protestën tonë. Një ditë, një prokuror patriot duhet t’ia përsërisë ligjërisht kurrsesinë e shembjes së Teatrit, pavarësisht fuqisë që të jep pushteti. Sepse pushteti në demokraci nuk është pronë e jotja. Deri atë ditë ne do të vazhdojmë të luftojmë për Shqipërinë, historia e së cilës, edhe ajo politike, nuk nis me shpurën dalëboje të sotme, që nuk kanë fuqi më as t’i gëzohen “fitores” apo ta vënë atë së paku si buzëkuq për të fshehur ngjyrën meite prej vjellës së vjedhjes së tyre vjellëndjellëse. / KultPlus.com