Me një repertor të larmishëm, koncerti recital i korit “Okarina” ngjalli mbrëmë emocione krenarie

20 Maj, 2021 - 12:01 pm

Era Berisha

Një repertor i larmishëm që portretizon mesazhe dhe thirrje mjaft të veçanta e që mbrëmë erdhën jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë italiane të kënduara nga kori i fëmijëve ‘Okarina’’ në koncertin pranveror që u mbajt në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Një numër i madh i gjeneratave të ndryshme ishin të vendosur në një skenë e cila mbrapa kishte një pemë që jo vetëm i bashkohej mesazhit të këtij koncerti por edhe frymonte njëkohësisht me zërin e fëmijëve që interpretuan gjithsej njëzetë këngë ku secila nga to erdhi fuqishëm dhe në një veçanti unike.

Ndërsa, literatura muzikore ishte një bukuri duke filluar nga këngët shqipe si: ‘E bukur vjen pranvera’, ‘Për ty’, ‘Ku është dashuria’, ‘Drini’, ‘Mos ma prekni pemën’, ‘Tetë Planete’, ‘Shtëpia jonë’, ‘Agimet Shqiptare’, ‘Ku je njeri’, ‘Muaji i Majit’, ‘Eja në pranverë’, ‘Ecjen ti vazhdo’, ‘Lirikë Pranveror’, ‘O vendi im’ dhe ‘Baresha’. Pastaj u kënduan edhe këngët e njohura botërore si: ‘Imagine’, ‘The sound of music’, ‘This is me’, ’Beautiful that way’.

Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishte edhe kënga ‘Bella Ciao’, që jo vetëm befasoi publikun por edhe e futi në një frymë tjetër ku talenti i këtyre të rinjve është shkrirë tërësisht në një laramani të bukur tingujsh dhe melodive që mbushën sallën tërësisht dhe ngrohën zemrat e prindërve që tërë kohën po i shikonin ata me krenari.

Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me interpretimin në piano nga Vesa Berisha, në violinë, në kitarë klasike dhe akustike si dhe në vokal nga grupi ‘Tingujt’ dhe me një koreografi nga balerina Lea Hamza, ky koncert u gjallërua edhe më shumë duke i dhënë audiencës një ngjyrë, zë, emocion dhe një vetëdijesim që talenti i fëmijëve është një dhuratë e këndshme e cila duhet të çmohet.

Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe po e ndiqnin atë me një lumturi dhe gëzim që po shndriste fytyrat. Me ç’rast edhe inkuadrimi i dy vajzave të presidentes Vjosa Osmani që nga ana e publikut, kaluan në skenë për një këngë rasti por edhe djali i vetë udhëheqëses së këtij kori, Elikona Hysaj-Shalës që doli në skenë për një përqafim të ngrohtë me nënë e tij. Pra, dashuria ishte elementi kyç që po qarkullonte në atmosferën e këtij koncerti.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij koncerti për KultPlus, foli udhëheqësja e korit ‘Okarina’, Elikona Hysaj-Shala.

“Ngase ne punojmë gjithë kohës brenda një klase, ideja ishte që të shfaqim një koncert me një repertor të këngëve të vjetra shqipe, këngë arbëreshe dhe të ndryshme të cilat do t’i shfaqnim para një publiku me fëmijë dhe prindërve të tyre. Ky koncert fillimisht ka qenë i planifikuar për stinën e dimrit por rrjedha e programit ka ndryshuar për shkak të pandemisë”, tregon Shala.

Sipas saj, emri i koncertit vjen si rrjedhojë që ngjyrat pranverore të futen brenda këngëve duke i dhënë jetë, shpirt por edhe një qëllim që fëmijët të kenë një lidhje mes vete, të socializohen por edhe të kenë kujdes që të mos ngacmojnë prandaj edhe janë sjellë dy këngë që flasin për bullizmin që sa vjen e rritet akoma më shumë.

“Ne mundohemi që çdo herë përmes këngëve t’i japim zë pikërisht problemeve duke pasur dhembshuri për njëri-tjetrin, të kemi dashuri të pa kursyer dhe në ditët e vështira t’i japim dritë atyre që kanë nevojë”, thotë Shala.

Për Shalën, provat kanë shkuar mirë edhe pse fëmijët kanë qenë të lodhur sepse afër pragut të koncertit është punuar intesivisht por edhe kërkesat e saj ishin të jashtëzakonshme ndaj tyre që të dal një performancë sa më e mirë sepse fëmijët duhet ta njohin se sa me vlerë është performanca live dhe njëkohësisht ta njohin edhe vështirësinë e saj për të qenë më të pjekur skenikisht.

“Unë e kam quajtur koncertin si maratonë sepse ka qenë maratonë moshash duke filluar nga 4 vjeç deri në 18 vjeç, gjë që më ka mrekulluar shumë dhe nuk do të mund të veçoja cila ka qenë performanca e tyre më e bukur sot sepse secila ka pasur bukuritë e veta duke arritur një impakt te publiku me një mjeshtëri që fëmijët sollën kësaj here”, përfundon Shala.

Ky koncert recital është organizuar nga Kori i Fëmijëve “Okarina“ me temën “Koncerti Pranveror”. / KultPlus.com

Të ngjajshme