21 Maj, 2021 - 6:29 pm
Nga Fatlum Sadiku
Shi dhe vetmi pllakosnin shkallët dhe gjithçka përreth ndër ato pak tentime të isha vetja. Ishin pothuaj e njejta gjë. Më vonë do e lexoja një formulim kësodore nga Nazim Hikmeti “edhe shkallët i kundërmonin telash”. Saktësi matematikore! Përballë ndërtesa e Dushankes, koleges së babës, që qe penzionuar para kohe. E di se i shkuan me një lëngje në vizitë. Universalitet nëpunësor komunistësh. Që atëherë ta ndjenjte shpirti se ngjarja e njejtë po ndodh në Armeni. Jo në Francë. Kurrë. Në Armeni.
Tri shqiptarizmat e para të kulluara: Gëzim Nika që nëna ia kishte gjetur kasetën në tokë dhe e kishte sjellur si për qejf të babës në trollin më të defolklorizuar; “Dite Dimri” e Aleksandër Gjokës, që e dëgjoje kur kaloje ndonjere kah “Aurora”, dhe “E duam lumturinë” e Parashqevi Simakut. Uh ç’patroni mësuesore që mbante kjo e fundit. Gjithnjë ma jepte imazhin e një mësueseje që edhe lulet e 7 marsit i pranonte me njëfarë gishti qortues. Pavarësisht tekstit, të mbyste me eterin byrokratik. Për mua: ndjenja më e hershme e dresimit, jo edukimit.
Çdo rrapëllimë e pikës së mbramë dalë nga olluket e shiut fliste se diçka ikte në pakthim. Nis e bitis, njëfarë ndjenje braktisjeje. S’di përse braktisjen e lidhja më së shumti me cigaret e serbëve të divorcuara. Divorci pra, ndryerja e braktisjes dhe pakthimit. Por edhe me ndonjë kuzhinë të katit më të lartë, që të vetmuar e përcëllon dielli i një të pasditeje. Njëfarë pavarësie e rreme e femrave në të 30-tat dukej se e kisha brenda. S’ishte ama. Ishte vetëm arrati. Arrati e të fjalosurave me babë, që ndihmonin pleq në rrugë. Hahah. Edhe kjo në tym cigaresh. Dhe po, ndjenja e dytë: pakthimi. Si vet jeta. Ç’ishte pakthimi ? Të ishte shija e ditës, e mirë e keqe, çfarëdo që të ishte? Një e folme vetëmevete ? Mbase më së shumti kjo.
Ndjenjë fundësie. Këtu zaten është çelësi. Nuk po them pafuqi a vogëlsi, por fundësi. Postulim i krijesës pascaliane. Për rrjedhojë, i pari prej kërkimeve të pafundësive: oborri me lisa i shkollës. Njëfarë fuqie përpirëse mbarte ai pyll artificial, vetëmpse topi shkonte tek disa lisa më larg. Anipse i gjelbërt, edhe sot ndjej se përhumbesha në njëfarë ndjesie kaltëroshe të mbyllur, gati gotike. Ndjenjë të përafërt më pas më kanë dhënë vetëm pyjet ndanë magjistraleve përgjatë udhëtimeve të gjata me autobus në Turqi, Bullgari e Iran. Duhmë nxënësish, mësimnxënje e nxënjeje. E në pjesën që lidhte ndrrimin tonë me atë të serbëve – që me sa di – përshkohej nga një sallë e gjatë basketbolli, gjithnjë kam ndjerë se të paktën duhet ta kaloj një natë pranë dritareve të saj, dhe nga brenda të luhet muzikë klasike. Ç’kolorit fëmijëror!
Të kapesh në jetë. Ç’cak ama! Sa më shkallar që bëhej ky zullum, aq më ciklike më dukej jeta. Njëfarë entuziazmi flurutak por i çalë. Duhej vetëm të fluturojë meqë të ngulmojë me dy këmbët, ishte i ndaluar. Ose i kishe këmbët e thyera, ose pritej të të thyheshin. Kishe disa aftësi, kurse ta shpallnin qe me kohën duhej ta veçosh vetëm njerën. Jeta nuk kapej dot, e vërdallë të thonin kapacitet.
Deleuze e Sontag kishin të drejtë: sëmundja është botëvështrim. E ta kishe në familje, njëfarë botëvështrimi i tërthortë. Mbresa simmeliane, e mendimimi përkujtues heideggerian, ishin sociologjia përkatësisht filozofia yte, as pa i njohur fare. Çdo fjali, njëfarë jehone, e dikur edhe njëfarë vrrage. Zakonisht qëndrim mbi boten mirrje jo para a përgjatë bisedave, por pas bisedave.
Më godisnin fort uturimat e veturave. Sërish ajo ndjesia e pakthimit. Ku shkoi, ç’destinacion ka, a do kthehet? Më mirë të mos kthehet. E lakmoje. Privimi ishte privim veçse nga bota. Vështirë të nxjerrje ndonjë mësim, përpos mbresash të vagullta. E bënte mosha, por edhe u tha: mësimdhënja e mësimnxënja. Që të dyja antimësimnxjerrjes. Nja 27 vjet më vonë do e gjeja se Ozeli këtë e lidh me kobin e kristianit. Ne kemi mall, ata kanë pikëllim thoshte. Ne këtë botë e kemi lundër drejt tjetrës, ata meqë e duan fort këtë botë, privojnë veten. Nuk kanë lundër. Interesante! Por ja s’kisha lindur në orbitën ku fuqia e kësaj fjale bën dallimin a qartësimin, për të mos thënë që kisha lindur plotësisht në rrafshin e dytë. Inneryarmouk! Një Jarmuk brenda endur në tisin e shekujve!
Çiltëri, mllef, ndjenjë shkatërruese, dhembshuri e mëshirë ta përshkonin trupin e shpirtin. Gjeje tepër pak njerëz spontan a atmosferë spontane. Ata pak që gjeje ishin të vërtetë ama. Jetë e regjimentuar. Të silleshe mirë ishte pjesë e edukatës familjare. Të silleshe keq, poashtu. Fundja përse të silleshe në vend se të veproje? Fundja përse të kishte kulturë në vend se relacion?
Në tëmthin e kohës, ndjej se keshtu nisi një jetë e jetuar keq. Si njëfarë pëlhure e tërhequr fort e që për insektin mund të duket hapje horizonti por pa e vrejtur se në vrimat e krijuara nga tërheqja, bie. E a nuk është rënia vetë fati njerëzor? / KultPlus.com