11 Qershor, 2021 - 1:17 pm
Restaurimi dhe konservimi i thesareve kulturore mbetet një sfidë e specialistëve të Laboratori të Restaurimit të Veprave të Artit, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Ditët e fundit specialistët përfunduan restaurimin e ikonës: “Vajtimi i mbivarrshëm”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.
Vepra është një ndër ikonat e rralla që ndodhen në këtë muze, të realizuara nga David Selenica, piktori i madh shqiptar i gjysmës së parë të shek. XVIII.
Kjo ikonë ishte pjesë e veprave të vjedhura nga MHK në vitin 1994, bashkë me “Epitafin e Gllavenicës”, të cilat u gjetën më pas në vitin 1996.
Përsa i përket mjeshtërisë artistike ndër piktorët e shkollës së Korçës më i talentuari është David Selenica. Në pavijonin e ikonave pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara dy ikona të ikonografit David Selenica “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” dhe “Shpërfytyrimi”, ndërsa në fondin e Muzeut Historik Kombëtar është ikona “Vajtimi i mbivarrshëm”.
Pavijoni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV-XIX, ku vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenica, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonakun e shumë autorë anonimë. Ikonografia lindi, triumfoi dhe u zhvillua bashkë me krishtërimin.
Ikonat pikturohen mbi dërrasë dhe më pas vendosen në ikonostas sipas një renditje të caktuar. Arti bizantin i pikturimit të ikonave i nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës.
Ikonografit nuk i lejohej të ndryshonte përmbajtjen dhe rregullat që përcaktonin kanonet e shenjta dhe tradita e kishës. Fytyrat e shenjtorëve që paraqiten nëpër ikona shprehin asketizëm dhe përulësi, sepse ata kanë qenë njerëz që kreshmonin, luteshin dhe bënin jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë. /atsh / KultPlus.com