14 Qershor, 2021 - 2:28 pm
Disa artikuj që dikur ishin pronë e ikonave të industrisë së muzikës, u shitën për një shumë afërsisht 5 milionë dollarë, gjatë një ankandi tre ditorë të organizuar në shtëpia e ankandeve “Julien’s”.
Në mesin e gjësendeve të shitura ishin edhe karikatura e portretit të muzikantit të ndjerë Kurt Cobain, piano e Elton Johnit dhe kitara elektrike e këngëtarit Prince, përcjell KultPlus.
Më shumë se 1.000 artikuj përfshiheshin në këtë ngjarje përfshirë këtu instrumente, relike, veshje dhe pasuri tjera personale që dikur ishin pronë dhe ishin përdorur nga artistë të zhanreve të ndryshme.
Ndër artistët tjerë pjesë e këtij ankandi ishin: Eddie Van Halen, Alex Van Halen, “The Beatles”, Elvis Presley, Cher, Lady Gaga, Madonna, Jimi Hendrix, Bernie Taupin, Tom Petty, Tupac Shakur, Whitney Houston, “The Doors” dhe Little Richard.
Vizatimi i vokalistit të grupit “Nirvana”, Kurt Cobain, i krijuar në vitin 1992 gjatë turneut promovues të albumit, “Nevermind”, u shit për 281 mijë dollarë, shumë kjo 28 herë më e madhe se vlera origjinale e llogaritur prej 10 mijë dollarësh, përcjell KultPlus.
Kitarja e kaltër e markës “Cloud” e porositur në vitin 1994 dhe e shfrytëzuar nga muzikanti, Prince, u shit po ashtu për 281 mijë dollarë.
Një piano e kuqe e markës “Yamaha”, e cila e mbanë nënshkrimin e këngëtarit britanik, Elton John, së bashku me një karrige të kuqe që është pjesë e këtij seti, u shitën për 150 mijë dollarë. Kurse teksti i firmosur dhe i shkruar me dorë nga Bernie Taupin, i hitit të Elton Johnit, “Candle in the Wind”, arriti të shitet për 76,800 dollarë.
Kostumi i zi së bashku me xhaketën e lëkurës të cilat ylli i muzikës, Cher, i kishte veshur në videoklipin e këngës “If I Could Turn Back Time” u shit për 115,200 dollarë.
Ndërsa, bateritë e krijuara me porosi nga marka “Pearl” të cilat ishin shfrytëzuar nga bateristi i grupit “KISS”, Eric Singer, u shitën në vlerë prej 75 mijë dollarëve.
Ky organizim i shtëpisë së ankandeve “Julien’s” zuri vend nga e premtja deri të dielën, dhe po konsiderohet një ngjarje mjaft e suksesshme. / KultPlus.com