16 Qershor, 2021 - 6:55 pm
Fjalët për Drita Agolli janë plot dritë, njëjtë si emri i saj. Regjisorja e parë shqiptare e diplomuar e skenës, aktorja, profesoresha Drita Agolli, la gjurmë e kujtime me vokacionin e saj, të përmbushura me përjetime të shumta e me përvoja të plota.
Si regjisore, Agolli vuri në skenë të Teatrit Popullor dhe të Operës 13 drama, përveç premierave me studentët e Institutit, ndërsa si aktore interpretoi disa role.
Në vitin 1950 fillon punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951.
Ja një pjesë e tregimit të saj në librin “Ecje nëpër kujtesë” me autore Sanije Gashin
Mirëpo, Drita, në fakt, ëndërr jetësore do ta ketë – regjinë. Kështu, si shpirt jo i qetë artistik, studimet e larta për skenografi dhe kostume teatri i ndjek në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, ndërsa dy vjet më pas, në vitin 1956, ato për regji teatri në Institutin e Artit Dramatik të Moskës, me emrin Lanacarskit (GITIS), të cilat i mbaron me sukses të lartë.
Kthehet në atdhe, mirëpo zhgënjimi vjen kur ajo, pas katër vjetësh studimesh për regji, detyrohet të punojë si aktore. Atëherë Drita nis punën dhe si pedagoge e jashtme në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” ndërsa me themelimin e Institutit të Lartë të Arteve emërohet pedagoge në degën e dramaturgjisë ku punon krahas personaliteteve të shquara të artit dramatik si Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Esat Oktrova.
Porse Drita më në fund ia arrin ëndrrës së saj në fushën e regjisë.
“Ky profesion më dha mundësinë që të realizoja diçka në jetë, që e bën me pasion, ndërsa kënaqësitë dhe shqetësimet i vijnë si dhe përballimet e tjera, e formojnë si njeri dhe si artist.
—
Drita Agolli ka botuar një sërë artikujsh kritikë në lëmin e artit skenik, si dhe një libër autobiografik “I paemri”, i pritur ngrohtë nga specialistët e fushës dhe publiku i gjerë. Më 1 tetor 2017, u nda nga jeta Drita Agolli. / KultPlus.com