Matoshi me fjalim të fuqishëm në Kuvend: Filmi duhet të shpallet interes shtetëror dhe si i tillë duhet të financohet

17 Qershor, 2021 - 2:03 pm

Sot në seancën e Kuvendin të Kosovës që po vazhdon ende të mbahet, ndër të tjerë, fjalën e ka marrë edhe deputetja Adriana Matoshi e cila ka folur për kinematografinë e Kosovës, shkruan KultPlus.

Në fjalimin e saj të fuqishëm, Matoshi ka potencuar suksesin që filmat kosovar kanë pasur viteve të fundit në festivalet më prestigjioze të botës dhe njëkohësisht ka kërkuar që kinematografia të përkrahet në nivel vendi.

“Viteve të fundit, vajza dhe djemtë e kinematografisë, aktorë dhe regjisorë nga Kosova kanë shënuar rritje të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Edhe pse me buxhet të vogël, falë talentëve të shumtë, kemi filma në të gjitha festivalet më të mëdha të botës si në: Sundance, Rotterdam e Kanes”, thotë Matoshi.

Sipas saj, përfaqësimi në Kanes me dy filma nga një shtet i vogël si Kosova dhe në konkurrencë me shtetet nga e gjithë bota, është një e arritur e rrallë sepse ata po shkëlqejnë me filma të shkurtë, të gjatë dhe me dokumentarë.

“Ky talent duhet të përkrahet në nivel vendi, fillimisht duke plotësuar ligjin për kinematografi, të harmonizojnë ligjet, të cilat mundësojnë që Kosova të përfitojë fonde evropiane të filmit. Duhet të rregullohet ligji për sponsorizime, për lehtësira financiare për kompanitë e huaja që xhirojnë në Kosovë”, ka thënë Matoshi.

Për Matoshin, përmes filmit paraqitet historia jonë e vërtetë dhe promovohet një imazh më i mirë për vendin dhe arenën ndërkombëtare. Andaj, duhet të sensibilizohemi dhe tregojmë vëmendje në krijimin e kushteve dhe ofrimin e përkrahjes për ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë së tyre, coftë edhe vetëm duke ia njohur kontributin e tyre të deritashëm.

Krejt në fund, aktroja dhe deputetja Adriana Matoshi ka kërkuar që të bëhet thirrje për një seancë të jashtëzakonshme për kinematografi. / KultPlus.com

Të ngjajshme