4 Janar, 2018 - 10:11 am
Më 4 janar të vitit 1924, kishte lindur aktori i madh shqiptar Kadri Roshi, shkruan KultPlus.
Sot, Roshi ka 94 vjetorin e lindjes ndërsa Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, zgjodhi që ta përkujtoj me disa fjalë e disa fotografi.
Kadri Roshi vdiq më 6 shkurt të vitit 2007.
Po sjellim të plotë shkrimin nga Ministria e Kulturës:
“Përkujtojmë sot me respekt dhe nderim 94-vjetorin e lindjes së aktorit Kadri Roshi, “Artist i Popullit”, Ezopi shqiptar, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” si e ka cilësuar poeti Dritëro Agolli-Fjala në gojën e tij sjell tingullin e zileve të këmboreve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të kengës polifonike, apo rrjedhës se lumenjve.
Jo vetëm aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë, apo ekonomisë botërore. Këto njohuri i konsideronte të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Pasionant i duhanit dhe peshkimit. Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej më shumë punë dhe pak talent. U nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën.
“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit”.
Jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një portret që mbeti i dashur në celuloid, me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur të fjalës. Dhe mbeti i dashuruar me vendin e tij: “Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem””, thuhet në shkrimin nga Ministria e Kulturës./ KultPlus.com