25 Korrik, 2021 - 11:58 am
Ministrja e Kulturës në Shqipërisë, Elva Margariti, në kuadër të muajt të bibliotekës sikurse është përcaktuar muaji korrik, ka përkujtuar albanologun Robert Elsie, një nga miqtë e mirë të Shqipërisë.
Robert Elsie lindi në Kolumbinë Britanike të Kanadasë më 29 qershor të vitit 1950, vend ku edhe mori arsimimin bazë dhe atë universitar. Pas studimeve ai ju dedikua albanologjisë. Pasi vizitoj vendin tonë disa herë gjatë viteve 70-80 ai ndoqi studimet në institutin e gjuhësisë në universitetin e Bonit në Gjermani dhe në Akademinë e Shkencave në Shqipëri.
Vite më pas, iu përkushtua edhe mori pjesë në shumë seminare ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën shqiptare, përfshirë këtu edhe atë Kosovare. Në gjykatën e Hagës ai ka dhënë një kontribut të rrallë si përkthyes i gjuhës shqipe gjatë gjykimit për krime ndaj njerëzimit ndaj Sllobodan Millollsheviç. Elsie ishte anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Kosovë, por edhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Disa nga veprat e albanologut Elsie janë: “Studies in modern Albanian, literature and culture”, “Anthology of modern Albanian poetry”, “Migjeni”, “Albanian folktales and legends”, “Histori e letërsisë shqiptare”, “A dictionary of Albanian religion, mythology and folk culture”, “Histori e letërsisë shqiptare botimi dytë”, Gjergj Fishta “The Highland Lute”, “Këngë Kreshnikësh”, “Historia më e vjetër e Shqipërisë”, “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, “Letërsia shqipe një histori e shkurtër”, Fatos Kongoli “The Loser”, ” Shqipëria dhe Kosova në ngjyra”, “Fjalor historik i Kosovës”, “Fjalori historik i Shqipërisë”.
Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh “Kosovo In the Heart of the Powder Keg” (Kosova, në qendrën e fuçisë së barutit). Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin “Historia më e vjetër e Shqipërisë”, Tiranë 2004.
Ai u vlerësua me çmimet “Medalja e Mirënjohjes dhe “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”.
Albanologu Robert Elsie ndërroi jetë më 2 tetor të vitit 2017 nga një sëmundje e rëndë e cila e ndau nga jeta ende të ri dhe me energji dhe përkushtim ndaj botës së letrave. /atsh/ KultPlus.com