Historia e panjohur e familjes arbëreshe që sensibilizoi Italinë për Kosovën

25 Korrik, 2021 - 1:58 pm

Publikohet historia e panjohur të familjes Petrota me origjinë arbëreshe, ku një nga pinjollët e saj, Rosolino Petrota, i diplomuar në Fakultetin e Mjeksisë së Universitetit të Palermos në Dermatologji në vitin 1920, i cili pasi shërbeu fillimisht si asistent pranë spitalit “San Saverio”, filloi karrierën e tij në Bankën Kombëtare të Aksidenteve në Itali (sot INAIL) ku i’u besua drejtimi mjeksor për rajonin e Siçili-Kalabrisë dhe në vitin 1937, me kërkesën e Mbretit Zog ai erdhi në vendin e origjinës së bashku me familjen e tij, (bashkëshorten dhe djalin Salvatoren) dhe u vendosën me banim në Tiranë, ku qëndruan deri në vitin 1947, kur pas shumë peripecive që u nxori regjimi komunist i Enver Hoxhës, mundën që të riatdhesoheshin në Itali.

Duke ecur në rrugën e të atit, edhe Salvatore u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë në Palermo për Kirurgji dhe u specializua në Ortopedi e Traumatologji, pranë Poliklinikës së Palermos, duke shërbyer më pas si shef i Shërbimit të Ortopedisë dhe më pas Kryemjek i Repartit të Ortopedisë në spitalin e qytetit Cefalu-s, deri më 1974-ën. Puna e tij për shumë vite si bashkëpuntor i ngushtë i Prof. Jozeph Caltagirone, Kryemjekut të Kirurgjisë Plastike dhe i Rikonstruksioneve të Spitaleve Katolike të New York dhe për një dekadë ai ishte edhe President i Qëndrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit të Palermos, ku në shkurtin e 1974-ës, ai themeloi revistën “Jeta Arbëreshe”, ku bëhet edhe drejtor i saj. Angazhimi i Dr. Petrota pas viteve ’90-të për të ndihmuar Shqipërinë e porsadalë nga “nata e gjatë” e komunizmit dhe memorandum i tij në vitin 1999 drejtuar klasës politike italiane, për sensibilizimin e gjithë Italisë në ndihmë të çështjes së Kosovës.

Ka qenë 28 janari i vitit 1999, kur një shtetas Italian me origjinë arbëreshe i quajtur Salvator George Petrota, i dërgoi një memorandum parlamentarëve italianë dhe përfaqsuesëve të kulturës të atij vendi, në lidhje me çështjen e Kosovës, me qëllim që të sensibilizonte opinionin publik në Itali mbi masakrat që po ushtronte regjimi i Beogradit me në krye diktatorin Millosheviç, mbi popullsinë autoktone shqiptare të asaj krahine. Po kush është Salvatore Petrota dhe çfarë e shtyu atë që të hartonte atë Memorandum? Cilat ishin lidhjet e tij me Shqipërinë dhe kur ishte larguar ai nga vendlindja e të parëve të tij? Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga historia e familjes Petrota, do njihemi në këtë shkrim që e kemi ndërtuar në bazë të të dhënave që Dr. Salvatore Petrota i’a ofroi ish-Presidentit Rexhep Mejdani gjatë një vizite që ai bëri në Itali në vitin 2001, për t’u publikuar ekskluzivisht nga autori i këtij shkrimi

Origjina arbëreshe e familjes Petrota dhe kërkesa e Mbretit Zog që e solli në Shqipëri në vitin 1937

Lidhjet e familjes Petrota me Shqipërinë e kanë zanafillën në vitin 1937, kur babai i George Petrotës, i quajtur Rosolino, me profesion mjek, me kërkesën e Mbretit Zog, erdhi për të punuar në vendin e vogël të shqiponjave, nga ku të parët e tij kishin dhe origjinën e familjes e rrënjët e gjakut. Rosolino u lind më 23 janar të vitit 1894, në Piana del Albanezi (asokohe Piana del Greçi) ku babai i tij, një sipërmarrës ndërtimesh, gëzonte një respekt të madh dhe ishte shumë i njohur jo vetëm në krahinën e tij, por dhe më gjerë në jugun e gadishullit Apenin. Mbasi kreu studimet klasike, Rosolino u regjistrua në Fakultetin e Mjeksisë (dega e Kirurgjisë) pranë Universitetit të Palermos. Në vitin 1915-të, ai u detyrua që të ndërpriste studimet pasi u mobilizua në ushtrinë italiane për shkak të Luftës së Parë Botërore. Ai mori pjesë në shumë beteja dhe mbas lufte, u dekorua me Medaljen e Argjendë dhe Kryqin e Luftës. Në vitin 1915-të, mbasi i vritet një vëlla (Filippo) në luftë dhe plagosen dy vëllezërit e tjerë, (Vito e Antonio), me kërkesën e të atit pranë autoriteteve të larta ushtarake italiane, Rosolino, transferohet në prapavijat e luftës, duke u caktuar në sektorin e shëndetësisë, ku punoi me një përkujdesje të madhe deri në mbarimin e luftës. Më pas ai u kthye në Palermo dhe në vitin 1920-të, mbaroi studimet, duke u diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin e Mjeksisë së Universitetit të Palermos të cilin e kishte ndërprerë për shkak të luftës. Ai u specializua në Dermatologji dhe fillimisht shërbeu si asistent pranë spitalit “San Saverio”. Më pas filloi karrierën e tij në Bankën Kombëtare të Aksidenteve (sot INAIL) ku i’u besua drejtimi mjeksor për rajonin e Siçili-Kalabrisë. Aty nga viti 1937, me kërkesën e Mbretit Zog, i cili synonte të modernizonte Shëndetësinë Shqiptare, Rosolino Petrota erdhi në Shqipëri për të dhënë konsulencë mjeksore. Ai erdhi së bashku me familjen e tij, (bashkëshorten dhe djalin Salvatoren), shtatëvjeçar e u vendosën me banim në Tiranë.

Konflikti i Rosolino Petrota në ministrin Galeazzo Çiano

Pas 7 prillit të vitit 1939, me aneksimin e Shqipërisë nga ana e Italisë fashiste të Benito Musolinit, ai u bë Kryemjek i Institutit të Aksidenteve në Shqipëri dhe deputet i Parlamentit shqiptar. Gjatë mandatit të tij parlamentar, për të mbrojtur dinjitetin dhe pavarsinë e Kombit shqiptar, Rosolino Petrota hyri në konflikt të ashpër me ministrin e Jashtëm të Italisë, Kontin Galeazzo Çiano, që ishte dhëndëri i Duçes. Pas atij konflikti, ndonse Çiano ishte një zotëri kapadai që si përulej asnjeriu dhe ndonëse Shqipëria ishte nën okupimin italian, ai pranoi drejtësinë e tezave që ngriti Petrota, i cili e mbylli diskutimin e tij në Parlament, duke u thënë: “Shqipëria e shqiptarëve”. Pas 8 shtatorit të vitit 1943, kur gjermanët filluan spastrimin e ushtarëve italian që kishin mbetur në Shqipëri, për t’i dërguar nëpër kampe përqendrimi, Rosolino Petrota, me një veprim të shkëlqyer politik, i’a doli mbanë të shpëtonte nga ato kampe 118 ushtarë italianë. Këtë gjë Rosolino e arriti, duke shfrytëzuar mandatin e tij të deputetit, e në pak orë e detyroi qeverinë shqiptare që të shpallte një dekret, i cili barazonte në gjithçka qytetarët italianë “arbëreshë” (d.m.th. ushtarët italianë në Shqipëri, që ishin nga komunat italo-shqiptare të Italisë), me qytetarët shqiptarë. Miratimi i këtij dekreti nga qeveria shqiptare me insistimin Rosolinos, bëri të mundur që të shpëtonin 118 ushtarë italianë, shumica e të cilëve ishin në kolonat gjermane, gati për t`i dërguar në kampet e përqendrimit.

Largimi nga Shqipëria në 1945-ën

Rosolino me gjithë familjen e tij, nuk u largua nga Shqipëria edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Kështu në tetorin e vitit 1945, pasi kishte përfunduar hartimin e legjislacionit të ri të punës, (sipas porosisë së krerëve më të lartë të qeverisë komuniste të Enver Hoxhës), në çastet e fundit kur kishin filluar divergjencat dhe Tirana zyrtare prishi marrdhëniet me Italinë, ai ja doli mbanë, duke u larguar nga Shqipëria në mënyrë aventureske, (braktisi edhe familjen) e u strehua në Itali, ku mbeti për shumë kohë në një kamp refugjatësh. Më 20 prill të vitit 1947, ai mori pjesë në votimet për Asamblenë e Parë Rajonale të Siçilisë, ku fitoi me vota, si i zgjedhuri i dytë në forcën politike që përfaqësonte (Demokracia Kristiane) të Qarkut të Palermos. Po kështu ai arriti ta ruaj atë vend dhe në Legjislaturën e Dytë dhe të Tretë. Kështu nga janari i vitit 1947 e deri në 25 korrik të 1955-ës, Rosolino qëndroi në detyrën e Këshilltarit Rajonal për Shëndetësinë. Rosolino Petrota ndërroi jetë më 1 gusht të vitit 1969 dhe përveç shumë mesazheve e telegrameve të ngushëllimit nga e gjithë bota, për të folën një numër i madh gazetash dhe “Observatore Romano”, e cila e përcolli vdekjen e tij me një artikull shumë të gjatë. Përveç shumë punimeve nga fusha e mjeksisë, Rosolino la dhe një sërë veprash të botuara, të karakterit historik, letrar dhe divulgativ që i përkasin historisë së Shqipërisë dhe komuniteteve italo-shqiptare.

Kush ishte Salvatore Petrota?

Salvatore Petrota u lind më 23 qershor të vitit 1930 në qytetin e Palermos. Mbas ardhjes në Shqipëri së bashku me babanë e tij Rosolinon, ai frekuentoi arsimin fillor në Tiranë e më pas gjimnazin klasik të shtetit. Ai jetoi së bashku me prindërit e tij në Tiranë nga viti 1937 dhe gjatë periudhës së luftës, e deri në fundin e vitit 1945. Pas largimit nga Shqipëria të babait të tij, Rosolinos, ai me nënën e tij, mezi mundën që të largoheshin për në Itali për t’u bashkuar me të, për shkak të pengesave të shumta që u nxorri regjimi komunist në fuqi. Mbas kthimit në Itali, duke ecur në rrugën e babait tij dhe ai u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë në Palermo për Kirurgji, të cilin e mbaroi më 6 mars të vitit 1956. Më pas, më 17 janar 1961, ai u specializua në Ortopedi dhe Traumatologji, pranë Poliklinikës së Palermos. Salvatore ka qenë përgjegjës i Shërbimit të Ortopedisë nga 21 prilli i vitit 1966 e deri në 1 prill 1969 dhe më pas Kryemjek i Repartit të Ortopedisë në spitalin e qytetit Cefalu-s, deri më 16 shkurt 1974. Për shumë vite me rradhë, ai ka qenë bashkëpuntor i ngushtë i Prof. Jozeph Caltagirone, Kryemjekut të Kirurgjisë Plastike dhe i Rikonstruksioneve të Spitaleve Katolike të New York. Për një dhjetëvjeçar, Salvatore gjithashtu ka qenë edhe President i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit të Palermos. Mbas një aktiviteti të dendur disavjeçar në dobi të çështjes shqiptare, për të cilën kërkoi ndihmën e disa shteteve europiane, në shkurtin e 1974-ës, ai themeloi revistën “Jeta Arbëreshe”, ku bëhet dhe drejtor i saj. Kjo revistë periodike informative me një tirazh prej 2500 kopjesh, ndonëse nuk pati jetë të gjatë, ishte e vetmja (deri më sot), që u nxorr nga komuniteti italo-shqiptar.

Në ndihmë të Shqipërisë në 1990-ën

Në shkurtin e vitit 1990, duke ndjekur me vëmendje lajmet që i vinin nga atdheu i të parëve të tij, në prag të ndërrimit të sistemit politik, ai tentoi nëpërmjet ON. Mario Acquisto, që të sensibilizonte senatorin Giuljo Andreoti, për problemin e Shqipërisë, që të ndihmonte daljen e saj nga ‘orbita’ komuniste. Ai u aktivizua me formimin e qeverisë së Silvio Berluskonit, që të krijonte një lloj Komisariati të Lartë të Politik, për problemet shqiptare, duke mbështetur tezën që Shqipëria nuk kishte nevojë për bamirësi, por për drejtim (udhëheqje) ose një kujdestari (tutorat) nga ana e Italisë, për impaktin me botën komerciale, sociale e politike, për të cilën Shqipëria nuk ishte e përgatitur, pasi klasa e saj politike vinte nga ideologjia marksiste-leniniste. Deri bga fillimi i viteve 2000, Salvatore jetoi në Palermo, me bashkëshorten e tij, Giovana Petta, (e diplomuar në Shkencat Politike) dhe dy fëmijët e tyre, Stefaninë (në vitin 2001 ishte 26 vjeçe dhe diplomante në Inxhinjeri) e Rosolinon (në atë kohë 23 vjeç) student në Shkencat Politike. Në 28 janar të vitit 1999, Dr. Salvatore Petrota, duke qenë një mbrojtës i flaktë i çështjes shqiptare, u detyrua dhe hartoi një memorandum lidhur me problemin e Kosovës, të cilin e titulloi “Kosova dhe Shqipëria Etnike: Kriza e Ballkanit”, të cilin u’a dërgoi të gjithë përfaqsuesve të kulturës italiane dhe parlamentarëve të atij vendi, të cilin po e publikojmë në fund të këtij shkrimi.

 Memorandumi për Kosovën i Dr. Salvatore Petrota në vitin 1999

“Në të vërtetë në Itali, është shkolla shkaku i pa pregatitjes kulturore të shtetasve të saj, lidhur me problemet ballkanike. Në Itali, nxënësit arrijnë në provimet e pjekurisë dhe dalin në jetë më një boshllëk të madh të programeve shkollore, që injorojnë tërësisht historinë dhe problematikat e gadishullit ballkanik.

Puna arrin deri aty, saqë në TV, një ish-Ministër i Jashtëm Italian, deklarohet i shqetësuar për krijimin e mundshëm të një “Shqipërie të Madhe”, pra për një restaurim të kufijve shumëshekullore etnik shqiptarë, që mbi të gjitha do të çonte automatikisht në shuarjen e çfardo vatre dhune.

Është e vërtetuar historikisht se Shqipëria, nuk ka kërkuar asnjëherë që të aneksojë, me dhunë ndonjë territor etnikisht jo shqiptar. Po ashtu ajo, as i ka dhënë asnjëherë shteg ëndrrave për supermaci karshi popujve të tjerë ballkanikë. Shqipëria kërkon vetëm të ribashkojë ato treva shqiptare, që interesat e Fuqive Europiane i kanë shkëputur në mes 1878 e 1913-ës.

Përkundrazi, Serbia është një Komb imperialist, që përherë është bërë shkak për konflikte. Kjo gjë ka ardhur prej kulturës së saj megalomane dhe prej politikës së saj agresive për dhunë ndaj popujve ballkanikë.

Kjo gjë është e provuar me dëshmi historike të pakundërshtueshme, e prova, si kundër kroatëve, sllovenëve, hungarezëve, malazezëve dhe shqiptarëve.

“Serbia e Madhe”, është ajo nga e cila duhet pasur frikë. Dëshmia më e mirë për këtë megaloni ngjethëse, e ngulitur tek serbët qysh në shkollë dhe që kaq kobe, rrënime dhe dhunime, ka provokuar dhe do të mund ende të provokojë, janë deklaratat e përçartura jo vetëm të politikanëve, por dhe të Kishës Ortodokse dhe përfaqsuesve të kulturës serbe që të gjithë i kemi dëgjuar të flasin në TV për “popullin e zgjedhur”!?

Prandaj nga precedentët historikë shumëshekullorë, bëhet e qartë se katalizatori i destabilizimit ballkanik, ka dhe ka për të pasur një emër të vetëm: Serbia, Kanceri i Ballkanit.

Serbët ngrenë pretendimin e tyre për të drejtën mbi Kosovën, tek kujtimi i betejës së zhvilluar më 28 gusht 1389 në Fushë-Kosovë, ku Sulltan Murati i Parë, i shkaktoi një disfatë të bujshme serbëve dhe i preu kokën princit të tyre Llazarit.

Kjo disfatë ishte shumë e turpshme për serbët, pasi ata ishin më të shumtë në numër se turqit. Ajo datë, për shkak të shpartallimit tërrsisht të trupave serbe, përfaqson dhe fundin e Principatës së tyre.

Skënderbeu, heroi Kombëtar shqiptar, ka qenë i vetmi princ ballkanik, që ka dalë fitimtar mbi turqit dhe ka bllokuar për 25 vjet me radhë përparimin e tyre në Europë, duke i thyer disa herë me rradhë, Sulltan Muratin e Dytë dhe Mehmetin e Dytë, nga 1444 e deri në 1468, vit në të cilin vdiq.

Nga pikpamja historike dhe gjenetike, shqiptarët dhe maqedonët janë të vetmit popuj ilirikë, ndërsa serbët janë një popull sllavë, që depërtuan në zemër të Ballkanit në shekullin e VII-të pas Krishtit. Kështu ata janë ardhacakë të vërtetë. Vetëm më 1913-ën, Kosova hyri dhe bëri pjesë në Serbi.

Kjo gjë ndodhi falë interesave të Rusisë Cariste, të Anglisë dhe Perandorisë Austro-Hungareze e Francës. Që nga Kongresi i Berlinit më 1878-ën e deri më Luftrat Ballkanike në 1912-13-ën, Shqipëria ka qenë e coptuar, duke krijuar me Kosovën dhe pjesën e Maqedonisë, Serbinë e Madhe, me Epirin dhe Thesalinë, Greqinë e Madhe, e me krahinën e Shkodrës, Malin e Zi.

Nga fundi i shekullit të XIV-të e deri në fund të shekullit të XIX-të, të gjitha këto territore bënin pjesë në katër Vilajetet që krijonin Shqipërinë brenda Perandorisë Otomane, d.m.th: Kosova, Shkodra, Manastiri e Janina. Shqiptarët ishin ata që i dhanë e furnizuan Perandorinë Otomane me kuadrot politikë, administrativë, e ushtarakë më të lartë.

Shumë Vezirë të Mëdhenj, si Mehmet Aliu, guvernatori i Egjiptit, Bej Frashërin, guvernatorin e Palestinës, Ali Pashë Tepelenën etj dhe për këtë shkak, nuk e ndjenin nevojën për të dalë nga një shtet brenda strukturës së të cilit dominonin.

Kjo ka qenë një prej dy motiveve që Fuqitë Evropiane, nuk e mbështetën në Kongresin e Berlinit të 1878-ës, kërkesën për të ruajtur bashkimin e katër Vilajeteve, të shtruara nga Kongresi i Prizrenit dhe më vonë nga qeveria e Vlorës.

Proteksioni i Rusisë për Serbinë, i justifikuar me alibinë si mbrojtëse religjoze ndaj të krishterëve ortodoksë të Ballkanit, fsheh në të vërtetë ëndrrën e vjetër të tyre për një dalje në Adriatik e Mesdhe.

Vasa Çubrilloviçi, një personalitet i rëndësishëm serb, që në 1937-ën, me anë të një memorandumi dërguar qeverisë jugosllave, u ankua për përdorimin e metodave perëndimore në përballimin e çështjes së Kosovës, që përkundër mund të ishte zgjidhur (62 vjet më parë) vetëm me përdorimin e dhunës brutale, duke i detyruar kosovarët që të emigrojnë në masë në drejtim të Shqipërisë dhe Turqisë.

Një shenjë ogurzezë, ndërkohë ishte dhënë nga entuziazmi që u mirëprit në Serbi, në mesin e viteve 80-të publikimi i këtij Memorandumi”./memorie.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme