26 Korrik, 2021 - 11:30 am
Filmi i metrazhit të gjatë debutues “Vera Andrron Detin” me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqi do t’a ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë ‘Venice Film Festival’.
Filmi është në konkurencë zyrtare në programin Orizzonti ku president e jurisë është regjisorja Boshnjake Jasmila Zbaniç ku filmi konkuron për: Filmin më të mire, Regjinë më të mire, Çmimin special të jurisë, aktorin dhe aktoren më të mirë, dhe për skenarin më të mirë.
Sinopsisi:
Përditshmëria e qetë e Verës (64) çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, ‘’Vera Andrron Detin’’ është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.
Regjisorja Krasniqi u shpreh: ‘Në këtë rrugëtim shtatë vjeçar plot sfida, kam qenë e determinuar t’u jap zë grave në mezomoshë – gjeneratë kjo që rrallë shqyrtohet në film, por edhe letërsi. Në anën tjetër, shumë stereotipe i mvishen këtij brezi. Lufta e Verës për pronën familjare shpalosë një ambient politik e kulturor të ndërtuar mbi pabarazitë, për të cilat kemi nevojë të mendojmë kolektivisht – jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht – këtë herë duke mos negociu me traditën. Ndihem shumë e nderuar që “Vera Andrron Detin” do ta ketë premieren këtë shtator, në njërin prej festivaleve të ëndërrave të mija – Venice Film Festival.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Producent: Shkumbin Istrefi.
Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Projekti është prezantuar dhe zhvilluar në Midpoint, Sarajevo FF work in progress, Prifest, Seatle IFF work in progress, First cut lab dhe gjithashtu është mbështetë nga Komuna e Prishtinës, MKRS, dhe Kuvendi i Kosovës./ KultPlus.com