Novobërda, ose Artana e praruar e turizmit të pashfrytëzuar të Kosovës

29 Korrik, 2021 - 2:40 pm

Një nga problemet kryesore më të cilët përballet turizmi aktualisht qoftë në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është pa dyshim “turizmi rastësor” që akoma gëlon rëndom në një mori qendrash të rëndësishme arkeologjike, duke përbërë ende mënyrën e vetme të vizitueshmërisë së këtyre simboleve të trashëgimisë tonë shekullore kulturore kombëtare.

E tillë pikërisht ishte edhe njohja ime personale me Novobërdën, kështjellën madhështore dhe gjithashtu historinë e saj të mrekullueshme, që do të ngjallte zilinë e çdo historiani, arkeologu dhe shtetari të mençur në çdo vend tjetër të botës, nëse do të kishin fatin të gëzonin në territorin e tyre një zonë kaq magjepsëse arkeologjike siç është Novobërda.

Në mënyrë rastësore e pata njohur këtë kështjellë të vendosur në një pozicion dominues mbi malet, grykat dhe luginat përreth, që ngrihet porsi një pikë vrojtimi e fortifikuar hijerëndë mbi një kodër malore, në lartësi mbidetare rreth 1200 metra, duke spikatur në distancë edhe nga shumë kilometra tutje, nga të gjitha anët dhe tërë drejtimet në horizont.

Kështjella e Novobërdës është një fortesë mesjetare që i fal Kosovës një pjesë thelbësore të trashëgimisë së saj historike, duke ofruar një mozaik të vyer kulturor, kombëtar, fetar e arkeologjik që rrallëherë mund të haset tjetërkund në rajon e më gjerë.

Kjo kështjellë me formë kaq unike gjashtëkëndore, me tetë kulla të vjetra, një pamje përrallore, që më tepër ngjan me një kështjellë të Europës Veriore, sesa me një fortesa të gjendur në zemër të Ballkanit mesjetar, sot vijon t’u bëjë ballë kryelartë kohës së pashpirt, kushteve atmosferike dhe lënies së pakuptueshme jashtë itinerarëve kryesorë turistikë.

Disa javë më parë, në një ditë të vapët gjetiu në trevat e ulëta fushore, por fort të freskët dhe me një erë që frynte tërbueshëm sa më shumë i afroheshe Novobërdës, i qemë afruar kësaj kështjelle duke përshkuar një rrugë të ngushtë gjarpëruese që kalonte mes kodrash e malesh të mbushura me gjelbërim, pemësh të harlisura me çdo frut malor të përfytyrueshëm (që të grishnin ta ndaloje makinën në çdo pak kilometra për t’i shijuar këto fryte bujare të natyrës), liqenit të këndshëm të Badovcit që t’i freskon edhe sytë me ujërat e tij, dhe një mori minierash që dergjen në braktisje.

Është e pamundur që mos të shtangesh nga mahnitja kur kështjella e Novobërdës lartësohet mes maleve, thuajse duke prekur qiellin, duke ruajtur akoma në ditët e sotme tisin e saj të pamposhtur, muret e paarritshme, pamjen luftarake dhe trashëgiminë fisnike që i japin asaj tiparet e saj që nuk mund t’i hasim asgjëkundi përveçse në këtë fortesë mbi kreshtat e larta të përqafuara pareshtur nga rrezet diellore.

Përkundër erës së çmendur, temperaturave më tepër se 10 gradë më të ulëta se në Prishtinë, truallit të thepisur dhe të tatëpjetë, nuk patëm ngurruar që të ngjiteshim gjer në muret e moçme gjysmë të rrënuara të kështjellës, duke përpirë me të gjitha shqisat tona këtë monument drithërues të mesjetës arbërore dhe të Kosovës, teksa përfytyronim jetën që dikur kish gjallëruar me ritëm të vrullshëm në këtë qytet të banuar nga arbërorët, tregtarët raguzanë nga Dubrovniku i sotëm, minatorët dhe mjeshtrat saksonë gjermanë, të sjellë pikërisht për këtë qëllim në këto vise të largëta nga sundimtarët e kohës, dhe ndoshta ndonjë përfaqësues të despotëve serbë të periudhës në fjalë.

Të përhumbur në këto vegime mesjetare, në një realitet të drobitur bashkëkohor që përplaset papërputhshëm me të shkuarën e ndritur të këtij vendbanimi të shquar të shekujve të kaluar, u futëm në bujtinën e parë që na hasën sytë rrëzë shtegut të vetëm të shtruar tek-tuk me gurë që të shpie lart në kështjellë, dhe zonja e sjellshme e shtëpisë na ofroi një fli që akoma piqej në saç dhe prush.

Megjithëse ende nuk më kishin kaluar dridhmat e të ftohtit të asaj dite, vendosa të kthehesha sërish në këtë vend të mbetur jashtë kohës, akoma pezull mes të shkuarës së lavdishme mesjetare, dhe harresës e mënjanimit aktual nga hartat e rëndësishme turistike, kredhur në një melankoli tipike të ngulimeve që kanë njohur madhështinë dhe qytetërimin e epërm, për t’u dergjur pastaj në sfondin e vakët të ditëve të sotme të pangjyra.

E kur u ktheva, përsëri për t’i shpëtuar vapës zhuritëse të kësaj vere të nxehtë, nuk u zhgënjeva aspak, përkundrazi…

E them këtë jo vetëm si shkrimtar dhe përkthyes letrar, që në një vend të tillë gjen parajsën për të shkruar qetësisht.

Novobërda, si kështjellë, si qytet dhe rrënoja arkeologjike mesjetare, por edhe si vendbanim i vogël bashkëkohor, është një gur i çmuar në gjirin e trashëgimisë historike të Kosovës së sotme, një vlerë e shtuar për turizmin kosovar, një destinacion i pashmangshëm për çdo turist të etur për gjurmë të pashlyeshme qytetërimi, historie dhe kulture të mirëfilltë, por edhe një vend plot kulturë, arsimim dhe mikpritje burimore shqiptare, duke ofruar një dëshmi të çmuar për doket dhe traditat shqiptare.

Ndër të veçantat më të spikatura të Novobërdës, mjafton të theksohet se në hapësirën e një rrugice të gjatë jo më shumë 70 metra, në radhë gjejmë Shtëpinë Muze të Bejta Novobërdalisë, gazetar, shkrimtar e politikan me origjinë nga ky vendbanim, pastaj Tyrben e Mehmedit të Vjetër, ku mund të shihet edhe një varr i moçëm me shkrime në osmanisht (shekulli XVIII), kurse pak hapa më tutje Xhaminë e Osman Efendisë gjithashtu të shekullit XVIII, me një arkitekturë të rrallë tipikisht osmane të vjetër, me ngjyrë të hirtë dhe minaren e veçuar nga godina qendrore.

Përkundrall tyrbes së vjetër, sakaq gjenden rrënojat mahnitëse të Katedrales së Novobërdës, që dallohet edhe nga largësia, e ngritur në një kodrinë të ulët, pikërisht përballë kështjellës disa qindra metra matanë.

Një sërë kolonash të larta të Katedrales janë ngritur sërish në këmbë, dhe gjithaq muret dhe gurët e saj janë meremetuar dhe sistemuar mjaftueshëm sa për t’i rikthyer këtij objekti të vyer kulti pakëz nga shkëlqimi i tij i dikurshëm, kur pamja e saj veç mund të orvatemi ta përfytyrojmë çfarë mrekullie arkitektonike duhet t’u ketë ofruar besimtarëve novobërdas dhe vizitorëve e tregtarëve të shumtë që kishin marrëdhënie me këtë qytet.

Vendasit, mikpritës dhe të gjithë skajshmërisht krenarë me të kaluarën e vendlindjes së tyre, të tregojnë me ëndje se rreth e rrotull Novobërdës së sotme, gjenden rrënojat e të paktën 12 kishave të moçme, dhe janë njëherësh të gatshëm të të shoqërojnë miqësisht për t’i soditur secilën syresh, me një bujari dhe gatishmëri që ta heq menjëherë nevojën për udhërrëfyes të rregullt turistikë.

Burimet historike ndërkaq tregojnë se Novobërda mesjetare, në banorët e saj, përveç arbërorëve (me gjasë jo vetëm katolikë, por edhe ortodoksë, gjë që dëshmohet nga disa kishat ortodokse, në një vendbanim kryesisht katolik), raguzanëve, saksonëve, mund të numëroheshin sakaq edhe tregtarët venedikas, duke e bërë këtë qytet një vendbanim shumëkombësh me tipare të qarta tregtare, qendër të nxjerrjes së mineraleve të çmuara, por edhe shteg kalimi për karvanet e shumta që arrinin deri në brigjet e detit Adriatik.

Ky qytet kaq i pashoq, ku ishte harlisur qytetërimi, bashkëjetesa midis lindjes dhe perëndimit, në radhët e banorëve, feve dhe kulturave të tij, që ndërkaq zotëronte dhe minierat më të pasura të gjithë siujdhesës Ballkanike, do të rrethohej disa herë pamëshirshëm nga osmanët, gjersa në vitin 1455 do të mposhtej përfundimisht, dhe turqit do t’u prisnin kokat gjithë mbrojtësve meshkuj të qytetit (qindra syresh), duke çuar përdhunshëm të miturit si jeniçerë, ndërsa gratë e femrat do të përfundonin në harem.

Një fakt interesant është se një vit përpara rënies së qytetit në sundimin osman, Vojvodë i Novobërdës ishte Aleks Spani, kurse përpara tij këtë post të rëndësishëm udhëheqës, e kish mbajtur babai i tij, Pjetër Spani, të dy pinjollë të familjes së madhe fisnike arbërore të Spanëvë nga Drishti pranë Shkodrës.

Gjithashtu një arbëror i shquar me origjinë nga Novobërda, është Gjergj Pelini, klerik katolik dhe diplomat i Gjergj Kastriotit.

Më tutje nga Novobërda në Gjilanin e sotëm do të shpërngulej edhe familja e madhe e Gjinollëve në shekullin XIX, duke themeluar këtë qytet të rëndësishëm të Kosovës, të cilit i dhanë edhe emrin e tyre.

Novobërda vijon të shuhet dhe të shpopullohet gjatë shekujve të sundimit osman, derisa vendbanimi i vogël i sotëm, në shekullin XX thuajse zbrazet tërësisht, dhe ringjallja e tij kryesisht, përveç përpjekjeve të autoriteteve kosovare përgjegjëse për trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore, i detyrohet kryesisht banorëve vendas të familjes Novobërdaliu, të cilët ende nuk pranojnë stoikisht të shkëputen nga trojet e tyre atërore, duke e ripërtërirë pak nga pak jetën në këtë qytet dikur të fisëm mesjetar.

Gjithë shtëpitë e mbetura në këtë vendbanim, u përkasin trashëgimtarëve të kësaj familje, dhe të tillë janë edhe Xhema dhe Feimja, një burrë me shpirt bujar që pati lënë karrierën akademike dhe filozofinë, për t’u kthyer në kohë të vështira në vendlindje, rrëzë kështjellës madhështore, dhe gruaja e tij e palodhur, që mes një flije dhe tjetrës, të pjekura domosdo në saç, mirëpresin me buzë në gaz këdo, në Shtëpinë e tyre Akomoduese në sheshin e vetëm të vendbanimit, poshtë mureve të kështjellës.

Anëtarët e kësaj familje, përbëjnë edhe një tjetër veçori krejt të rrallë të këtij vendbanimi, ngaqë të gjithë pa përjashtim, duke nisur nga brezat më të moshuar, gjer te brezat e rinj, janë të shkolluar në nivel universitar, duke jetuar e punuar me sukses bijtë e nipat e tyre nga Prishtina, deri në vendet e Europës Perëndimore e Veriore.

Sot Novobërda vuan nga infrastruktura turistike, ndërsa kështjella mesjetare nuk është rikonstruktuar dhe meremetuar akoma plotësisht, teksa shtigjet që të shpien deri lart poshtë mureve të saj, nuk janë shtruar akoma, të paktën me plloça guri, dhe kur ende mungon ndriçimi i duhur për kështjellën dhe zonën përreth saj, por gjithashtu askund nuk të has syri ndonjë tabelë ku të tregohet përmbledhtas historia mahnitëse e këtij qyteti dhe bëmat e qytetarëve të tij.

Megjithatë Novobërda ndodhet vetëm 40 minuta larg Prishtinës, rreth dy orë larg Shkupit, në distancë të pranueshme nga Tirana dhe gjithë qytetet e rëndësishme të Kosovës.

Ky vend klimaterik ku mushkritë të mbushen me ajër të pastër, ku gjelbërimi gjendet në çdo skaj, ku bimësia lulëzon, ku ushqimi Bio ta mbroth shëndetin, ku njeriu ecën me rrënoja arkeologjike në çdo hap që hedh përtokë, dhe ku veçanërisht mikpritja vendase mund të cilësohet thjesht si e përkryer, nevojitet patjetër të shndërrohet në një “must go place” për çdo turist që vjen në Kosovë, sepse vizita do t’ia vlejë qartësisht mundimin.

Nga Elvi Sidheri (Shkrimtar dhe përkthyes letrar shumëgjuhësh) / KultPlus.com

Të ngjajshme