20 Gusht, 2021 - 11:00 am
Udhëheqësi i gërmimeve pranë mozaikut të Tiranës arkeologu Maringlen Meshina thotë për abc se zbulimet arkeologjike në këtë zonë rrëzojnë përfundimisht projektin e shatërvanit dhe hapësira i kthehet monumentit.
Nga ana tjetër potenciali arkeologjik zgjatë edhe kohën e përdorimit të vilës romake përtej shekullit të pestë. Potenciali arkeologjik i dalë në dritë në mozaikun e Tiranës hedh poshtë, projektin e Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e shatërvanit dhe pedonales. Hapësira sipas arkeologut Maringlen Meshina do i kthehet e gjitha monumentit.
Varri i parë i zbuluar pranë mozaikut të Tiranë, si dhe monedhat e shekullit të 2- 5 i çojnë arkeologët drejt tezës së zgjatjes së përdorimit të vilës romake, përtej shekullit të pestë. Specialisti thotë se për herë të parë harta e gërmimeve del jashtë territorit të monumentit të kategorisë së parë.
Gërmimet arkeologjike do të zgjasin deri në fund të shtatorit, ndërkohë që për këtë zonë deri në fillim të tetorit do të ketë edhe një analizë të hollësishme, për potencialin arkeologjik./ Abcnews.al./KultPlus.com