Pedro Almodovar dhe Penelope Cruz hapin Festivalin e Filmit në Venecia

1 Shtator, 2021 - 9:59 pm

Gara për ‘Luanin e Artë’ u hap sot në mbrëmje nga një dyshe emblematike e kinemasë spanjolle, Pedro Almodovar dhe Penelope Cruz, në një prelud të Festivalit të Filmit në Venecia, që ndërthur kinemanë autore dhe emra të mëdhenj të Hollywood-it.

Regjisori dhe muza e tij, të veshur me të zeza, ecën në tapetin e kuq të pallatit të kinemasë nën shkrepjet e aparateve të fotografëve, por në mungesë të publikut, për shkak të masave antiCOVID-19.

Gjatë ceremonisë së hapjes, një ‘Luan i Artë Nderi’ iu dha regjisorit italian Roberto Benigni, autorit të paharrueshëm të “La vita e bella”.

Për këtë Mostra të 78-të, Almodovar përballet me 20 filma në garë për të joshur një juri të kryesuar nga Bong Joon-Ho, nga Koreja e Jugut, fitues i “Palmës së Artë 2019” me filmin “Parasite”.

Juria e Mostra-s bashkon aktoren franko-belge Virginie Efira dhe regjisoren amerikane me origjinë kineze, Chloé Zhao, e cila triumfoi në Oscar me “Nomadland”, disa muaj pasi fitoi ‘Luanin e Artë’ vitin e kaluar. / KultPlus.com

Të ngjajshme