Reagon Zeni Ballazhi, autor i logos për 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit

13 Janar, 2018 - 9:09 pm

Autori i logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Zeni Ballazhi, ka reaguar pasi ka dalë lajmi se logoja të cilën ai e ka dizajnuar vetë ka ngjashmëri me një tjetër logo.

Ballazhi thotë se është i vetëdijshëm për punët e tij artistike.

“Veprat e mia janë të publikuara dhe të mbrojtura me të drejtën autoriale prej vitesh. Ato gjenden kudo, madje edhe jashtë vendit. Unë jam autor edhe i asaj logoje të BDI-së. Ndonjëherë veprat e mia mund të kenë edhe ngjashmëri, sepse i punoj dhe ripunoj gjithmonë me stilin timin dhe vijat e mia, që të jem më unik. Pra, janë vepra të dizajnuara, që mbrohen me të drejtë të plotë autoriale, sepse janë edhe vazhdimësi e punës sime, stilit tim, avancimit tim prej vitesh” thotë për KultPlus Ballazhi.

“Jam i vetëdijshëm për atë që bëj dhe publikoj, prandaj shpifjet që mund të bëhen në këtë drejtim dhe publikimi apo keqpërdorimi i veprave të mia pa të drejtë është i dënueshëm” ka thënë mes tjerash Ballazhi.

Logoja e re, pasi një tjetër u anulua para pak ditësh, thuhet se ngjan shumë me logon e Kongresit Tematik të BDI-së, parti në Maqedoni. / KultPlus.com

Të ngjajshme