‘Nëna’

14 Shtator, 2021 - 4:28 pm

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’
do ngjisë ai traktet kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, me zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur ne gjumë! ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi të
(Fli, biri i nënës, se ora s’është një.)

Akrepi leviz, me ngadalë lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Ne ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
ne fushë te sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas ne fushë u dëgjua që larg
nje krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si në mjegull atje,
sahati i thyer seç ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai
(O nënë), dhe dorën e vuri në gji.

Atje trakte s’ka. (O nënë ku je
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

(O nënë!), por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Dicka nëpër mendtë atij shpejt I erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Ne dor’ revolverin, ne rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

(O nënë, o nënë, o nënë, ku je!!!!)
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
…(Ndal!) ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afer pyllit, ne an’ te një përroi
pas drureve ai u mbështet e vajtoi.

…Qe biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata per nënën s’do ketë mbarim./KultPlus.com

Të ngjajshme