20 Shtator, 2021 - 8:56 pm
Poezi nga Ndre Mjeda
Djali pa nanë si nata pa hanë
Pra ‘i djalë i vorfen kuej nuk i dhimet,
Kur, si mue t’shkretin, t’a mlojn mjerimet?
Teper shpejt bora, tuj ra n’ vorfunim,
Njatë qi per mue ish’ diell n’ agim.
Emnin e kandshem m’i a ndie kot prita
Njasajë qi n’ kobe do t’ m’ ishte drita:
Kuej nuk i dhimem, askush s’ m’ kujton,
Sado qi zemra vec gjak m’ pikon.
Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,
Me nanë, me moter, ah! sa dashtnija
Vlote n’ ket zemer, qi sot s’ka gzim,
Vetem pse nana m’ la n’ ket vorfnim.
C’ at ditë qi e bora, mue s’ m’ knaqë natyra,
Nder gzime t’ shekllit nuk m’ qeshet ftyra;
Kurr s’ m’ hiqet mendjet kur nana m’ tha:
T’ laca me Zotin! – e diq e m’ la.
Ah! se fort m’ dote, se fort m’ pat gzue,
Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!
Por qe, se une nanen sot ma s’ e kam;
Un nafakpremi, c’ se i vorfen jam!
Kur, n’ agim t’ ditve, m’ra me shtegtue,
Si dola shpijet, tuj u largue,
E kqyra s’mramit e aq m’ permalloi,
Sa dysh mue zemren, dysh m’a coptoi.
E kush kalote at ditë bri meje,
At ditë qi dhima m’ kish xjerrë mendt kreje,
Thote perajshem: Paska metë shkret!
Zot, njitja doren, majen ti ngiet!
C’ at ditë, si zogu, larg fluturova,
E n’ dhe t’ panjoftun treta, u largova;
S’ desht kush me m’kqyrun, s’ diejta kue’ i flas,
Nji dorë ndimtare c’ at herë s’ m’ u qas.
E kur vetmija mue m’ lodhte naten,
Un n’ gjuj u ulshem, thojshem uraten;
Kujtojshem nanen para Tenzot,
E syt m’ u mushshin gjithherë me lot.
Ah! po, kujtimet e asajë dite
Uratë e kandshme ti m’ i persrite:
O nanë e dashtun, a thue t’ thrras kot,
C’ se fusha e mali me za t’ em lot?
Ah! po, se dhima zemret nuk m’ shkepet,
C’ se gjithkund nanen me e lypun m’ nepet;
Do t’ m’ mysë mjerimi, s’kam si gjallnoj,
Pse deka e nanës zemren m’ a imtoj.
Por, ndale vajin, jeto pa droje,
Mendo se drita prap do t’ agoje,
Kur nder Qiell t’ epra Zoti tash t’ thrret:
Rrethue me lule, nana aty t’ pret./KultPlus.com