Fillon edicioni i 9-të i ‘FemArt’, pritet të sjellë në Prishtinë aktivitete të ndryshme artistike

30 Shtator, 2021 - 7:56 pm

Për gjashtë ditë me radhë edicioni i 9-të i FemArt do të sjellë në Prishtinë aktivitete të ndryshme artistike e kulturore, online dhe fizikisht.

FemArt 9 nis nesër rrugëtimin artistik në Prishtinë, që do të realizohet në shtatë lokacione nga 1-6 tetor, 2021. Ky edicion vjen nën moton “F… Seksizmit”.

”Ky vit ka qenë plot humbje jetësh, humbje ekonomike, trazira shpirtërore dhe emocionale. COVID-19 e ka bërë jetën më të vështirë në çdo dimension të mundshëm dhe njëkohësisht ka shfaqur logjikën dhe mekanizmat e kalbur të sistemeve aktuale shtypëse. Seksizmi, racizmi, queerfobia ndër të tjera shkaktojnë vdekje. Sikur të mos mjaftonte pandemia globale, lajmet për dhunën seksuale, dhunën në familje dhe diskriminimin në vendet e punës, në institucionet arsimore, në rrugë dhe brenda shtëpive na kanë shqetësuar të gjithëve. Këto fenomene na kanë revoltuar dhe në të njëjtën kohë nxitur për të krijuar e vepruar. Seksizmi dhe shtypja kanë qenë këtu për një kohë të gjatë tashmë, dhe padyshim që nuk ka qenë një kohë e këndshme”, thuhet në komunikatën për media.

Artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste. Nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në rebelime, ne do të trajtojmë të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ne synojmë të mobilizohemi për t’ia futur seksizmit, si mënyra e vetme për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore.

FemArt 9 përkrahet nga:

Donatorët: Bashkimi Europian, Koalicioni i Kosovës për Pajtim, Ambasada e Suedisë në Kosovë/Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar – Sida, Humanrightivism, Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, Kvinna till Kvinna, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, UNFPA, Cfd, Agjencia për Barazi Gjinore, Ambasada Austriake, Ambasada Franceze, Koalicioni K10, KCSF, SDC

Përkrahësit Institucional dhe medial: Teatri Kombetar i Kosovës, Kuvendi i Kosovës, KultPlus, Pallati i Rinisë, Teatri Dodona, Teatri Oda, Fakulteti i Arteve – Universiteti i Prishtinës, Art Motion, Selman Networks, Dukagjini, mik-mik, Blue Taxi, Trosha.

Aktivitetet do të transmetohen drejtpërdrejt në mediat sociale dhe do të zhvillohen fizikisht me një numër të kufizuar vendesh bazuar në “Manualin për mbrojtjen kundër përhapjes së virusit COVID-19” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe “Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimi i Pandemisë COVID-19 “. Për prezencë fizike obligative është njëra nga nga këto dëshmi: 1. Certifikatë e vaksinimit të plotë kundër Covid-19; 2. Testi RT-PCR negativ për Covid-19 (72 orë maks.); 3. Testi i shpejtë antigjen negativ (48 orë maks.). / KultPlus.com

Të ngjajshme