Shtëpia e fëmijërisë

6 Tetor, 2021 - 10:48 pm

Poezi nga Alketa Spahiu

Gjithmonë e më e vogël në sytë e mi
vetëm volumi i kujtimeve rritet
dhe merr ngjyrë bezhë si perlat e gjyshes
një prekje të lehtë vintage reflekton
shtëpia e fëmijërisë.

Shtëpia e fëmijërisë më duket gjithnjë e më e vogël
sikurse unë, e pafajshme,
kur gjatë kohës së pritjes për eksod
përgatisja pakot ushqimore
duke mos harruar lotët dhe librat me poezi.

Sa emocione i kam skalitur
në vitet që ikën
si vapor në Danubin e tablosë kubike,
e sollën gëzime, promovime, diploma, udhëtime
vetëm një kornizë më të madhe nuk ia sollën
shtëpisë sime të fëmjërisë.

Thonë se fëmijët e huaj
rriten shume shpejtë,
madje edhe per mua do të kenë thënë:
“ja, u bë grua sa hap e mbyll sytë”,
përderisa vazhdoj të rritem
përmes dashurisë, dhimbjes, shpërblimeve e udhëtimeve
shtëpia ime e vjetër
zvogëlohet çdo ditë e më shumë. / KultPlus.com

Të ngjajshme