Fara e përlindjes sonë kombëtare

17 Janar, 2018 - 3:26 pm

Ese: Ragip Sylaj

Nëse sipas psikanalistëve, mitet janë riprodhim i ëndrrave, mund të thuhet se këtu fillon edhe njëra nga përmasat mitike të Gjergj Kastriotit, që para lindjes së tij. Siç tregon Barleti ( ), “kur e ëma e tij (Vojsava) mbeti me barrë me të, pa në ëndërr se lindi një dragua aq të madh, saqë mbulonte gati gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të turqve, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det ndërmjet kufijvet të krishtera dhe sidomos të shtetit venedikas” (1). Dhe Gjoni “profetizoi me lehtësi se prej saj do të lindë një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe njëkohësisht kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishterë (…)” (2) . Duke filluar që para lindjes së kryetrimit tonë, kjo linjë e shtrin parabolën e saj deri “pas vdekjes së tij kur kërkojnë ‘një grimë asht të burrit’ për hajmali, që të mos i zërë plumbi dhe që t’u ecë fati si atij” (3). Esenca e kësaj aureole mitike nuk është e rastësishme (dhe ky nuk është zbulim imi), kuitesenca e këtyre përmasave është vetë qenia reale, që fatbardhësisht i kaloi kufijtë e asaj që është natyrore për një njeri të vdekshëm, andaj Gjergj Kastrioti me atributet e një njeriu të jashtëzakonshëm, i përftoi edhe përmasat mitike e legjendare.

Irealiateti i përçartjes së somnambulëve

Përmasën ireale kësaj figure, ndër më të shquarat në historiografinë tonë dhe atë botërore, u munduan t’ia mveshin serbët. Kjo ndodhi kur, nga thellësia e marrëzisë së tyre të begatshme, nxorën përfundimin se Skënderbeu na qenkësh bashkëluftëtar i Xhafer Devës dhe për shkak të saj nuk u lejuaka të mësohej në shkolla (bëhet fjalë për vitet ’80 të shekullit që shkoi). Këso faktesh nuk do të pjellë asnjë teatër absurdi ende sado imagjinatë e bujshme që ta vërë në lëvizje.
Një përmasë tjetër ireale që deshën t’ia zbulojnë somnambulët e përçartjes ishte edhe origjina e kontestuar e këtij vigani të historisë. Por, lidhur me këtë çështje historiani Flamur Hadri (i ndjerë) konstaton: “Tezat absurde të pak historianëve të huaj të shek. XIX, të cilët pretenduan që heroi kombëtar i shqiptarëve ishte me kombësi sllave ose greke, qenë rrëzuar përfundimisht nga historia skënderbejane e paraluftës” (4) (para L.II.B – plotësim imi).
Shkrirja e përbërjes substanciale reale me përbërësit mitikë te Gjergj Kastrioti ka amalgamuar figurën madhështore të historisë sonë kombëtare, e cila sa vjen e merr peshë historike e civilizuese, shkëlqim e dritë optimizmi etj. Le më që, përveç përbërësve të përmendur, aty gërshetohen e shkrihen si te rrallë ndonjë personalitet tjetër historik: perëndimorja (me emrin Gjergj, me besimin e krishterë, me simbolikën e diellit e të dritës…) dhe lindorja (me emrin Skënderbe, me besimin e shartuar-mysliman, me simbolikën e hënës, d.m.th. të natës…). Kështu, ai (Skënderbeu) del figurë ngjashëm si vendi dhe populli i tij), ku ndeshen, ku priten, ku pleksen, ku shkrihen e amalgamohen kundërshtitë më të skajshme. Tek ai është sublimuar trimëria, virtyti, shkëlqimi dhe, gjithsesi, edhe madhështia e popullit të tij. Pa e hedhur penelin e ngjyrosjes së portretit të tij real, sikurse edhe ishte besuar, qoftë për të gjallë të tij, qoftë pas vdekjes së tij, për shkëndijat hyjnore që kishin prafulluar nga shpirti ti tij i pamort, na duket shumë e arsyeshme kërkesa e presidentit (të ndjerë) të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, drejtuar Papa Gjon Palit II për shenjtërimin e kryetrimit tonë, pas kërkesës së ngjashme për shenjtërimin e Nënës Tereze, gjë e cila edhe u jetësua.

Esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës

Tashmë duhet konsideruar se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu njihet në plotni, në të gjitha dimensionet që përbëjnë figurën grandioze të tij. Ai ishte esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës, ose thënë shul shqip: ai është fara e Rilindjes sonë kombëtare. Figura e tij e ndritshme mbetet tepër frymëzuese, mbase së pari, nëpërmjet veprës së të madhit Barlet, “Historia e Skënderbeut”. I pashembëllyeshëm pothuaj mbetet (po ashtu) me asnjë figurë tjetër, jo vetëm të historisë sonë po as të asaj botërore (5), për luftërat titanike që kishte bërë me tërë madhështinë e thjeshtësisë dhe me shembullin e fisnikërisë më të lartë. Si i tillë, ai nuk kishte si të mos ishte forca më vitale e ripërtëritjes së shqiptarëve, përkatësisht udhërrëfyes mbase i vetëm për frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me atributet e pakundshoqe që sintetizon figura e monumentale e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, edhe sot bashkë me flamurin e tij, mbetet simboli qenësor i qëndresës dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë.

Fusnotat:

1 Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, “Rilindja”, Prishtinë, 1988, fq. 50
2 Po aty, fq.50
3 Po aty, fq.33 (nga parathënia e Stefan I. Priftit), por të shikohet edhe faqja 490
Ndërkaq Fan S. Noli, Vepra 4 (Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468), faqe, 174. At thuhet “Dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhën, turqit hapin dhe varrin e tij, që të mernin copëra të koskave të tija, si hajmali që t’i bënin ata aq të paprekshëm, sa ç’e kishte famën se ishte edhe vetë Skënderbeu”. Të shikohet edhe Barleti, Vita, Libri XIII, fq. 373
4 Flamur Hadri, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij n…”, fq.78
5 Shih edhe Ymer Jaka, Skënderbeu në letërsinë frënge, Rilidnja, Prishtinë, 1990, fq.26, ku ndër të tjera autori thotë: “Në kohën e luftërave qytetare në Francë Skënderbeu duhet të shërbente si shembull për bashkimin e kombit”
Te Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fq.183,184: “Për sa u përket rezultateve të fushatave të tij, Kaliksti III i përmblodhi ato fare bukur kështu: Si një pendë e
patundshme, ai i preu vrullin vërshimit turk dhe nuk e la që ta përmbyste Evropën e krishterë”
“Dhe vërtet, pothuajse fill i vetëm, ai i qëndroi furisë së turqve mizorë si një ledh i patundur, duke mos i lënë të afroheshin dhe t’i turreshin krishterimit” (FARLATI)./ KultPlus.com

Të ngjajshme