17 Janar, 2018 - 9:09 pm
Gili Hoxhaj
Koleksionisti shqiptar Ilir Xheladini sonte solli ekspozitën e cila përmbante libra, gravura, pulla dhe bankënota për jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Të gjitha këto materiale përshkruanin një rrugëtim historik nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta. Në murin e Muzeut Kombëtar ishte vendosur rrugëtimi i jetës së figurës heroike Gjergj Kastrioti Skënderbeu, gjersa përshkruante fatin dhe të bëmat e tij që nga lindja deri në betejat e fundit të tij.
Ilir Xheladini tregon për KultPlus se si kishte nisur krejt ky rrugëtim i koleksionimit të gjërave të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Duke studiuar letërsinë moderne në Universitetin e Neuchatel-it në Zvicër, profesori i historisë i kishte folur shpesh atij për grekët e Greqinë, Romën dhe romakët por asnjëherë për ilirët dhe Ilirinë dhe shpesh çdo pyetje e tij si student kishte mbetur pezull pa përgjigje nga profesori.
Kështu Xheladini gjatë vizitës në një librari të vjetër, gjen një hartë të Ilirisë përmes së cilës dhe fillon dialogun me profesorin. Harta e Ilirisë në këtë librari të vjetër njëzetë vite më parë mbetet si pikënisje e kësaj ekspozite që sonte erdhi në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në mesin e librave për Skënderbeun, kjo ekspozitë sjellë edhe kopjen origjinale të autorit Jacques de Lavardin e cila është shkruar në frëngjishten e vjetër dhe është botuar në vitin 1621.
Kalaja e Shkodrës në këtë ekspozitë mbartë një moment të rëndësishëm për traditën shqiptare mbi kombin dhe religjionin. Një gravurë që Xheladini e solli në këtë ekspozitë tregon gratë shqiptare të cilat në ditën e Bajramit nga Kalaja hedhin lule për ta nderuar heroin. Kjo pamje kishte zënë hapësirë në revistën angleze “Ilustrated London News”.
“Kjo është tejet e veçantë për shkak se pavarësisht religjionit, heroi mbetet hero”, tha Xheladini për KultPlus.
Një gravurë tjetër përmban një mesazh edhe më të fuqishëm lidhur me tolerancën shqiptare që e ka karakterizuar këtë popull edhe pesë shekuj para. Kjo gravurë që daton nga dita e vdekjes së Skënderbeut tregon se si njerëz nga treva të ndryshme shqiptare, që u përkisnin religjioneve të ndryshme, kryejnë rite të ndryshme fetare pranë arkivolit të Skënderbeut.
Duke qenë se koleksionisti i kishte mbledhur këto materiale nga vende të ndryshme të botës, ai thotë se kjo ka qenë edhe një shtysë pasi që të huajt i zotërojnë gjërat që lidhen me historinë tonë, kurse ne nuk dimë as për ekzistencën e tyre.
Kjo ekspozitë është pjesë e një iniciative shumë të madhe të Xheladinit dhe Muzeut të Kosovës për të krijuar një muze shqiptar në Zvicër, e që do të quhet “Museum Illirycum”.
“Jemi një numër i madh i shqiptarëve që jetojmë në Zvicër, por edhe që zviceranët të na njohin më mirë për të kaluarën tonë sepse zviceranët kanë dëshirë t’i besojnë gjërat, vetëm kur i prekin faktet”, tregoi shkrimtari dhe koleksionisti Xheladini.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj tha se ekspozita investon në grumbullimin e fakteve, artefakteve dhe dokumenteve të ndryshme të cilat përfaqësojnë të kaluarën tonë shqiptare. Ai tha se kjo ekspozitë flet edhe për relacionin dhe rëndësinë e diasporës në koleksionimin e materialeve të rëndësishme për historinë shqiptare.
“Ne shpesh flasim se si diaspora është një vlerë e madhe e jona në kuptimin financiar, unë mendoj që diaspora jonë ka qasje në informacion, në ngjarje dhe në biblioteka të shumta. Mendoj se duhet t’u japim më shumë hapësirë njerëzve që jetojnë jashtë, e ata janë aq të vullnetshëm për të promovuar vlerat tona”, tha Boshtrakaj për KultPlus.
Për të gjithë ata që duan të shohin këto materiale, dyert e ekspozitës do të qëndrojnë të hapura për një javë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com