27 Tetor, 2021 - 11:45 am
Aktorja e njohur Roza Anagnosti, “Artiste e Merituar” feston sot 78 vjetorin e lindjes.
Teatri Kombëtar në Shqipëri uron aktoren e madhe Roza Anagnosti me rastin e ditëlindjes, transmeton KultPlus.
Anagnosti është aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyn në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963).
Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë” (H. Hakani, 1964). Në shtator 1964, ajo bëhet pjesë e trupës të Teatrit Kombëtar. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranë ku mund të përmendim: “Qielli i kuq”, “Mbreti Lir”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Vizita e inspektorit”, “Cuca e maleve”, “Toka jonë”, “Besa e madhe”, “Zonja nga qyteti” etj.
Roza Anagnosti u shndërrua në aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare.
Çifti Roza dhe Dhimitër Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi “Medalionin e Festivalit” të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall “Aktorja më e mirë” dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi ‘Medalionin’ e dytë. Anagnosti ka interpretuar edhe në filmat “Ndërgjegjia” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon një motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, etj. / KultPlus.com