28 Tetor, 2021 - 10:40 pm
Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë, përcjell KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Portugali, në adresimin e saj në Samitin Global të Grave, ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë, në punë dhe në shtëpi.
Por, sipas saj, gratë nuk ndaluan. “Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin”, ka theksuar Presidentja Osmani në Samit, i cili sivjet trajton rolin e grave në transformimin e ekonomisë.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Krushës, të cilat pavarësisht vuajtjeve me të cilat janë përballë, kanë arritur të triumfojnë.
“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.
“Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!”, ka theksuar Presidentja Osmani para grave pjesëmarrëse nga mbarë bota në këtë Samit.
Në këtë adresim, Presidentja Osmani, gjithashtu ka vërë theksin në fuqizimin e grave në proceset vendimmarrëse.
“Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në kuadër të këtij Samiti, Presidentja Osmani ka takuar edhe përfaqësuese të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë
Samiti Global i Grave
Gratë i transformojnë ekonomitë
28-30 tetor 2021
Lisbonë, Portugali
Të nderuar,
është një kënaqësi e madhe t’ju takoj të gjithëve në atë që njihet si pika më perëndimore e Evropës dhe vendi që më është thënë se duhet ta vizitoj të paktën një herë në jetë.
Unë mbaj fjalime në vende të ndryshme të botës, por ky i sotmi është posaçërisht i veçantë për mua. Është vërtet rifreskuese, motivuese dhe frymëzuese të jesh në mesin e disa prej grave më të fuqishme, më të zgjuara dhe më të suksesshme në botë.
Samiti Global i Grave quhet me të drejtë si forumi kryesor i biznesit dhe ekonomisë për gratë në mbarë botën. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Përderisa ne festojmë sukseset tona sot, mendoj se në mendjen tonë të gjithë duhet ti kujtojmë gratë që jetuan përpara nesh. Ngjarja e sotme është ajo që na bashkon të gjithëve për të çmuar atë që është arritur deri më tani dhe për të përshkruar dhe caktuar qartë se ku duam të shkojmë më pas.
Nuk ka dyshim: gratë janë në zemër të shoqërive të barabarta, të qëndrueshme dhe të begata. Nuk e them këtë me qëllimin për të zvogëluar rolin e burrave – përkundrazi, është një thirrje për të njohur përfundimisht rolin e gruas në komunitetet tona dhe në fusha të ndryshme të jetës. Burrat mund të jenë ata që janë renditur kryesisht si figurat kryesore në librat tanë të historisë, por unë besoj fuqimisht se e ardhmja u përket grave. I përket të gjithë zërave që kanë mbetur të padëgjuar prej shekujsh; atyre që luftuan me guxim për t’i hapur rrugën grave të tjera që vinin pas tyre; atyre që e dinin se meritonin më shumë; atyre që ende luftojnë fort dhe mundohen edhe sot e kësaj dite; grave dhe vajzave të së ardhmes që do t’i çojnë shoqëritë tona në lartësi krejtësisht të reja. Sepse gratë munden – sepse gratë e dinë – sepse gratë janë duke udhëhequr ndryshimin!
Këto nuk janë kohë të lehta. Në një hark kohor më pak se dy vjeçar, ne kemi përjetuar një pandemi globale, vështirësi serioze globale ekonomike dhe aktualisht jemi dëshmitarë të asaj që njihet si kriza energjetike e Evropës – e cila kërcënon të bëhet një krizë globale.
Ndikimi i kësaj në shoqëritë tona ka qenë shumë përfshirës. Askush nuk është kursyer, por disa janë goditur më fort. Pabarazitë që vazhdojnë në shoqëritë tona u reflektuan në një shpërndarje të pabarabartë të sfidave dhe vështirësive midis grupeve dhe komuniteteve të ndryshme. Më
së shumti u goditën të margjinalizuarit dhe të varfrit. Pasojat për gratë dhe vajzat në mbarë botën ishin të rënda.
Është e qartë se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë – si në punë ashtu edhe në shtëpi. Pavarësisht kësaj, gratë vazhduan të zhvillohen dhe të kenë sukses. Ata kanë qenë në vijën e parë në luftën kundër COVID-19 dhe kanë luajtur një rol të madh në menaxhimin e pandemisë, përderisa i kanë ndihmuar vendet e tyre të hartojnë programe më të fokusuara në nevoja dhe programe të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike.
Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin.
Nga iniciativat transformuese lokale, deri te politikat kombëtare gjithëpërfshirëse, transparenca e shtuar dhe përpjekjet e shtuara për të luftuar gjithmonë për më shumë dhe për më mirë, gratë po marrin udhëheqjen në komunitetet tona, në qytetet tona, në vendet tona dhe në mbarë globin.
Sfidat e ditëve të sotme dhe ato të së ardhmes kërkojnë një stil të ri udhëheqjeje. Dhe gratë kanë treguar se i zotërojnë me mjeshtëri këto aftësi të nevojshme. Në këto kohë më sfiduese, gratë ishin në gjendje të bashkojnë popullin dhe të mobilizonin njerëzit për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit të sjelljes së tyre të përditshme për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit.
Ky stil udhëheqjeje për të cilin ishim vetë dëshmitarë, në këto rrethana të jashtëzakonshme mund të bëhet gjithnjë e më i vlefshëm dhe të kthehet në një aset të rëndësishëm që do të shërbejë si një udhërrëfyes për liderët e së ardhmes. Ndërsa kërcënimet e ndryshimeve klimatike bëhen më të rënda, frekuenca e krizave të shkallës së lartë kërcënon të rritet gjithashtu. Prandaj, bëhet një domosdoshmëri për të nxjerrë mësime të vlefshme nga sukseset e grave në pandemi.
Andaj, pavarësisht nga fakti se kemi arritur mjaft larg, ne kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar një shoqëri që rritet duke pranuar barazinë gjinore. Deri më sot, numri i grave në menaxhimin e bizneseve dhe pozitat drejtuese mbetet shumë i ulët. Për më tepër, vendet e punës së grave janë prekur dy herë më shumë në krahasim me ato të burrave. Dhe, për shkak se shumë gra ende mbesin në krye të detyrave shtëpiake dhe familjare, një në katër gra po e shqyrton largimin nga fuqia punëtore apo kalimin në një karrierë me dinamikë më të vogël. Sikur kjo të mos mjaftonte, një pandemi në hije po zhvillohej paralelisht në sfond – gratë ishin një objektiv i drejtpërdrejtë i dhunës në familje.
Këto janë arsye të forta për ndryshime strukturore dhe është koha që ne të kuptojmë se nuk mund t’i lëmë më gratë vetëm në rrugëtimin e tyre për të harmonizuar përgjegjësitë e tyre në shtëpi me përgjegjësitë në punë. Është momenti i fundit që të fillojmë t’i trajtojmë çështjet gjinore në kontekstin e çështjeve ekonomike. Është momenti i fundit që të angazhohemi për të përkrahur investimet në arsim, në planifikim familjar, përfshirje dixhitale dhe financiare dhe
përmirësimin e barrës së pabalancuar të punës pa pagesë për përkujdesje për fëmijët dhe të moshuarit.
Përfundimisht ne duhet të kuptojmë se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është edhe gjëja më e zgjuar. Ajo çon në një performancë ekonomike të përmirësuar dhe të ngritur, dhe në fund na çon më pranë përmbushjes së qëllimit tonë për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të begatë.
Studimet sugjerojnë se nëse ndërmerren veprime tani për të arritur përmirësime të barazisë gjinore deri në vitin 2030, 13 trilion dollarë mund t’i shtohen GDP-së globale krahasuar me skenarin regresiv gjinor. Ky është arsyetimi më i fortë ekonomik për të gjithë ne për t’i bërë tregjet e punës më të qasshme për gratë.
Duke folur për arsyetimin ekonomik rreth fuqizimit të grave, dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.
Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë.
Me të vërtetë, ajo është shembulli më i mirë i një heroi të jetës reale që lulëzon duke ngritur lart gra të tjera. Historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.
Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!
Të nderuar pjesëmarrës,
Për të përmbushur objektivin e fuqizimit ekonomik të grave, ne gjithashtu duhet të sigurohemi që gjithnjë e më shumë gra të ulen në tryezën e vendimmarrjes. Sepse, kur një grua udhëheqëse ulet në një tryezë, ajo sjell me vete historinë e saj e po ashtu edhe historinë e nënës dhe gjyshes. Kjo do të thotë se ato vijnë në atë tryezë duke pasur parasysh sfidat, betejat dhe pengesat e atyre që ishin aty para tyre dhe fokusohen që të angazhohen në hartimin e politikave dhe ndërtimin e strategjive së zhvillimit që ndihmon drejt adresimit të këtyre sfidave dhe sjelljes së një ndryshimi pozitiv.
Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-
bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes.
Ekonomitë tona janë ndërtuar mbi kurriz të grave. Ekonomitë tona do të lulëzojnë plotësisht vetëm kur potenciali i grave të eksplorohet plotësisht. Ndërsa ecim përpara, nuk mund të përballojmë asnjë humbje të potencialit dhe talentit femëror gjatë rrugës, pasi kjo do të nënkuptonte një humbje për të gjithë ne.
Por jam shumë e bindur se diçka po ndryshon dhe shoqëritë tona po ndryshojnë për të mirë. Unë jam dëshmitare e kësaj në vendin tim dhe ndjej se një revolucion i udhëhequr nga gratë po pushton botën.
Zonja dhe zotërinj,
Le ta mbrojmë, ta mbështesim dhe ta udhëheqim këtë përpjekje në drejtim të duhur! Sepse, gratë jo vetëm që kanë potencialin për të transformuar ekonomitë tona – ato me të vërtetë kanë potencialin për të transformuar shoqëritë tona. / KultPlus.com