Ministrja Margariti për projektet në buxhetin 2022: Prioritet Teatri i ri

3 Nëntor, 2021 - 8:30 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se “buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”.

Margariti raportoi sot para anëtarëve të komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mbi projektbuxhetin e Kulturës për vitin 2022.

Ministrja tha se “tërmeti dhe pandemia kanë sjellë një rrudhje jo të vogël të buxhetit të kësaj ministrie vitet e kaluara, si dhe problematika për gjithë sektorin”.

Duke u ndalur te disa nga projektet e realizuara gjatë këtij viti, Margariti veçoi rihapjen e TKOB, investimi më madhor i qeverisë shqiptare në fushën e artit dhe kulturës.

“Kemi përfunduar edhe kantiere të tjera të mëdha në drejtim të restaurimit të objekteve të kultit. Kemi përfunduar Mësonjëtoren e Parë Shqipe në Korçë, investim totalisht i buxhetit të shtetit. Kemi nisur rikonstruksionin e sallës së Akademisë së Arteve, nevojë që lindi si rezultat i Paktit për Universitetin. Po përfundojmë aneksin e Bibliotekës Kombëtare”, tha Margariti.

Margariti tha se “jemi ndalur si në projekte madhore, por edhe projekte që lidhen me rrënjët e identitetit tonë. Kemi vënë theksin mbi funksionet që lidhin artin, kulturën me dialogun, komunitetin, artistët”.

Rritja e paprecedent e buxhetit të këtij viti, sipas saj, mbështet prioritetet e qeverisë shqiptare për edukimin përmes kulturës, për fëmijët, të rinjtë, artet e zejeve.

Margariti siguroi se “përgjatë vitit 2022 do të çojmë përpara projekte madhore si ngritja e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ngritjen e Parkut të Artit, rikonstruksionin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve, rivlerësimin e Mozaikut të Tiranës, ngritjen e Teatrit të ri e shumë të tjera”.

Margariti theksoi se në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.

Ndërkohë për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, sipas saj, “janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %”.

“Kemi trefishim të të ardhurave të dedikuara për projektet artistike. Po ashtu kemi edhe një
buxhet të dedikuar prej 100 milionë lekësh për javët e kulturave të huaja në Shqipëri, që do të sjellë jo vetëm gjallërim të jetës artistike në vend, por kjo nismë merret në kuadër të politikave integruese”, tha ajo.

Margariti theksoi po ashtu se në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekësh, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme