7 Nëntor, 2021 - 8:45 pm
“Rreth shtatë muaj pas dozës së dytë të vaksinës Covid, ne mund të marrim koronavirusin”, kështu ka deklaruar Ugur Sahin, kreu i kompanisë gjermane të BioNTech, për gazetën “Bild”.
Ai shpjegon se doza përforcuese e vaksinës vjen për të mbushur boshllëkun dhe madje është efektive kundër mutacionit “Delta”.
Deklaratat e kreut të kompanisë gjermane të BioNTech vijnë në kohën kur gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer, me të cilin po bashkëpunon për përgatitjen e një vaksine kundër Covid-19, njoftoi se ai ka gati pilulën kundër koronavirusit.
“Nga muaji i shtatë, i tetë apo i nëntë pas dy dozave të para të vaksinës Covid, nivelet e antitrupave fillojnë të bien, duke e lënë trupin të prekshëm ndaj sëmundjes”, tha Sahin.
Duke komentuar gjetjet e provave klinike, drejtori i BioNTech tha se kur dikush është i infektuar me Covid dhe është plotësisht i vaksinuar, nuk do të sëmuret rëndë.
“Përveç kësaj, ne kemi të dhëna studimore që tregojnë se një dozë përforcuese rikthen mbrojtjen e vaksinës (gjashtë muaj pas dozës së dytë). Kjo vlen edhe për mutacionin e virusit Delta. Për këtë arsye të moshuarit duhet të marrin urgjentisht dozën përforcuese, gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit”, tha Sahin. / KultPlus.com